
Itali/ Shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar për shkak të ortekëve

Situata me ortekët dhe reshjet e dendura të shiut në Itali po bëhet gjithnjë e më serioze. Në vendin fqinj ka pasur stuhira dhe erëra të forta, si dhe reshje të dendura shiu. Gjithashtu, në provincën e Trentino-Tiroli, një djalë 16 vjeç ka ndërruar jetë dhe trupi i tij u gjet në dëborë. Mendohet se shkak janë bërë reshjet e dëborës.
Sipas mediave italiane, në rajonin alpin të Val d’Aosta, më shumë se 6,000 njerëz kanë mbetur të bllokuar dhe izoluar për shkak të ortekëve, të cilët po rrezikojnë jetën e tyre, ndërsa qeveria ka bërë thirrje që banorët të mos lëvizin nga shtëpitë.
Hamasi flet për armëpushimin në Gaza

Hamasi u shpreh se nuk mund të ketë një “shkëmbim të burgosurish” para një armëpushimi të mundshëm në Gaza, duke iu përgjigjur kështu propozimit të sugjeruar nga ndërmjetësit egjiptianë dhe atyre të Katarit.
“Ne kemi pohuar kushtet tona për një armëpushim: tërheqje e plotë, kthimi i personave të zhvendosur në zonat nga u larguan, veçanërisht në veri, dhe ofrimi i ndihmave dhe rindërtimit”, tha Osama Hamdan, kreu i lartë i Hamasit, duke përjashtuar mundësinë e shkëmbimit të pengjeve para përfundimit të luftës.
UNICEF thotë se të paktën 5,500 foshnja që do të lindin në muajin e ardhshëm janë në rrezik për jetën

Të paktën 5,500 foshnja që pritet të lindin në muajin e ardhshëm janë në rrezik për jetën, thotë një raport i UNICEF. Rreziku për jetën vjen si rrjedhojë e faktit që nënat e tyre nuk kanë akses të plotë mbi lindjen, ndodhen në gjendje lufte dhe zhvendosen për shkak të bombardimeve. Edhe ankthi është një faktor që çon në lindje të parakohshme.
Në raport thuhej se mbi 90% e fëmijëve të moshës 6-23 muaj dhe gra shtatzëna ose me gjidhënje po përballen me një varfëri ekstreme në zona të ndryshme në Gaza, si dhe në Ukrainë.
Gjermania thotë se nuk mund të lejohet ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor

Kryediplomatja gjermane, Annalena Barbock, u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë një mbështetje të fortë në të gjithë rrugëtimin e tyre në anëtarësimin e BE, por theksoi se Rusia rrezikon stabilitetin e rajonit.
“Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që të ketë kudo në Evropë "zona gri" dhe duhet të bëjmë gjithçka që mundemi së bashku për të mbyllur krahët që Rusia mund të përdor në politikën e saj të destabilizimit, dezinformimit dhe ndërhyrjes”, tha ajo referuar vendeve si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. BE u ka bërë thirrje këtyre vendeve që të bëjnë reformat e nevojshme për integrimin në bllokun europian.