Motivim

Kur është koha e duhur për të bërë ndryshime të mëdha, sipas ekspertëve

Shkruar nga Anabel

1 Nëntor 2024

Kur është koha e duhur për të bërë ndryshime

Çdo gjë ka një fund! Të braktisësh zonën e rehatisë është gjithmonë e vështirë, por në shumë raste është gjëja e duhur për t’u bërë. Mund të jetë një lidhje e gjatë, a.k.a. e mërzitshme, një punë që nuk të rrit më profesionalisht apo një miqësi që të jep “dhimbje koke.”

Por cila është mënyra më e mirë për të lënë pas të shkuarën dhe për t’i ofruar vetes mundësinë për rifillime të reja, ta shpjegojnë ekspertët!

Fundi i një marrëdhënieje romantike

Jo pak njerëz e gjejnë veten në një lidhje të gjatë shumëvjeçare, ndonëse e kanë të vështirë të rendisin disa arsye përse ende janë në atë marrëdhënie. A është dashuria dhe pasioni ende pjesë e lidhjes apo vetëm dëshira për të mos “dështuar” dhe frika për t’i dhënë fund?

Ekspertët sugjerojnë se kjo është një pyetje thelbësore që duhet t’i bëni vetes nëse “nuhasni” se lidhja juaj e dashurisë ka humbur funksionin e saj.

“A po qëndroj për shkak të frikës, zakonit, detyrimit apo dashurisë së vërtetë?” Kjo është pyetja që duhet t’i bëni vetes nëse nuk jeni të sigurt nëse duhet të ndaheni me një partner.

“Ju mund të toleroni sjellje toksike sepse keni frikë se si do të jetë jeta juaj pa të,” thotë ekspertja e marrëdhënieve ndërpersonale, Kate Mansfield.

Shenjat që lidhja juaj mund të jetë bërë e pashëndetshme përfshijnë mungesën e besimit, mosrespektin e ndërsjellë dhe debatet e njëpasnjëshme, qofshin ato për çështje madhore apo të vogla.

“Mosmarrëveshjet për gjëra të vogla janë zakonisht një shenjë e një problemi më të madh që nuk pranohet hapur,” thotë Mansfield. “Ndërkohë, mosrespektimi mund të jetë një shenjë nënshtrimi që në fakt përbën një sjellje abuzive”, shton ajo.

Shenja të tjera më të dukshme mund të jenë mungesa e dëshirës për të bërë gjëra së bashku dhe ndjenja e lodhjes pas bashkëveprimit me partnerin tuaj, duke mos marrë kënaqësi nga aktivitetet e përbashkëta.

Nëse mendoni se marrëdhënia juaj përshkruhet nga çfarë shkruhet më sipër, sugjerojmë që të flisni hapur me partnerin tuaj për të marrë vendimin e duhur.

Të japësh dorëheqjen

“Të largohesh nga puna nuk është vendimi më i thjeshtë për t’u marrë, por ndonjëherë është gjëja më e mirë që mund të bësh,” shprehet Keren Blackmore, ekspert i çështjeve të karrierës.

Arsyet që duhet t’ju shtyjnë drejt këtij vendimi përfshijnë mungesën e mundësive për rritje profesionale, si promovimi në detyrë ose mundësitë e trajnimit, apo të qenit në një ambient toksik.

“Nëse ndiheni se nuk merrni vëmendjen që meritoni ose ju është bërë e ditur se nuk do të merrni atë që synoni, mbase është momenti për të kërkuar një punë të re,” thotë Blackmore.

Megjithatë, jo gjithmonë kur stresoheni duhet të lini punën, si për shembull mëngjesin e së hënës.

Dhënia fund e një miqësie

Nëse filloni të acaroheni apo të mërziteni nga mendimi i mikeshës tuaj ose sjellja e saj, kjo mund të jetë një shenjë se shoqëria juaj nuk është në ditët e saj më të mira. Kjo mund të shoqërohet me mendimin se keni më pak të përbashkëta se më parë ose se shpesh dilni me mikeshën tuaj vetëm sepse ndiheni të detyruar.

Të ndiheni se nuk dëshironi të rrëfeni ndodhitë tuaja te mikesha juaj sepse nuk ju pëlqen mendimi apo reagimi që do të merrni është një tjetër shenjë se gjërat nuk janë në rrugën e duhur. Ndërsa shpesh mendojmë se manipulimi i përket lidhjeve të dashurisë, në fakt mund të jetë një problem edhe për miqësitë.

“Të ndiheni të presionuar për t’u sjellë në mënyra që nuk ju bëjnë të ndiheni mirë apo të mos shoqëroheni me dikë për shkak se mikesha juaj nuk e pëlqen janë shenja të një miqësie të pashëndetshme,” shprehet ekspertja Georgina Sturmer.

Megjithatë, para se të bëni diçka për t’i dhënë fund miqësisë, ndaloni dhe mendoni nëse ka ndonjë mënyrë për të zgjidhur problemet e krijuara.

A janë ato probleme afatshkurtra dhe të lidhura me një periudhë të vështirë që mikesha juaj po kalon?

Nëse vendosni t’i jepni fund miqësisë, sigurohuni që “të silleni me integritet dhe mirësi,” thotë Sturmer. Kjo do të thotë të komunikoni me mikeshën tuaj duke i shpjeguar arsyet e vendimit tuaj apo t’i bëni të ditur se dëshironi të kaloni më pak kohë me të.

Artikuj të sugjeruar: