Shefja e teknologjisë për OpenAI, Mira Murati, ka njoftuar largimin nga detyra pas gati shtatë viteve angazhim në këtë kompani. Përmes një postimi në rrjetin X (ish-Twitter) ajo ndau virtualisht me të gjithë lajmin e largimit nga OpenAI.
“Asnjëherë nuk është momenti i duhur që të largohesh nga vendi që e vlerëson, por sërish, ndiej se ky është vendimi i duhur,” thotë Murati në postimin e saj.
“Nxjerrja e modeleve tona për të folurit të Open AI, o1, shënon fillimin e një epoke të re të ndërveprimit dhe inteligjencës, arritje të mundësuara nga zgjuarsia dhe mjeshtëria juaj,” theksoi Murati në njoftimin dërguar punonjësve të OpenAI.
Ajo tha se vendimi për largimin nga ky angazhim vjen bashkë me dëshirën personale për të pasur më shumë “kohë dhe hapësirë për të eksploruar gjëra të reja.”
Murati, njëherësh shtoi se në fokus të saj është edhe një “tranzicion” i lehtë brenda kompanisë, sidomos pas vendimit të saj për t’u larguar nga OpenAI.
I shared the following note with the OpenAI team today. pic.twitter.com/nsZ4khI06P
— Mira Murati (@miramurati) September 25, 2024
Largimi i Mira Muratit vjen pasi një seri largimesh në radhët e drejtuesve të kompanisë së inteligjencës artificiale (IA), përfshirë këtu edhe themeluesit Ilya Sutskever dhe John Schulman. OpenAI, kompania që ka krijuar ChatGPT, është një prej kompanive që ka përjetuar më së shumti rritje në botë. E themeluar në vitin 2015, OpenAI është një kompani kërkimore e mbështetur nga inteligjenca artificiale. Kompania synon kryesisht të sigurojë që inteligjenca artificiale të jetë e dobishme për të gjithë.
Kush është Mira Murati?
Mira ka lindur në Vlorë, është rritur në Shqipëri, u zhvendos në Kanada në moshën 16-vjeçare (sipas Wikipedia-s). Ajo u diplomua në universitetin “Dartmouth” në vitin 2012, në degën inxhinieri mekanike.
Pasioni i Mirës në teknologji është goxha më i hershëm se sa përvoja në ChatGPT. Sipas llogarisë së saj në LinkedIn, Mira ka qenë në krye të menaxhimit të departamentit të produkteve, përgjegjëse për modelin X në kompaninë Tesla, për 3 vite (2013 – 2016). Dy vite më vonë, pra në 2018, ajo iu bashkua edhe në ekipin e OpenAi.
ChatGPT u prezantua në nëntor të vitit 2022 dhe ndonëse disa shkolla në Amerikë e kanë ndaluar përdorimin e kësaj risie, vetë Microsoft njoftoi se do të investonte plot 10 miliardë dollarë në kompani. Ndërsa, në janar, “ChatGPT” ishte një ndër termat më të kërkuar në Google, duke tejkaluar kështu edhe kërkimet për “bitcoin”.
Artikuj të sugjeruar:
- E ëma e Mira Muratit i bëri ChatGPT-së pyetjen tipike të një nëne shqiptare
- Mira Murati në listën e 25 grave me më shumë ndikim në botë, sipas Financial Times
- 750 punonjësit kërcënuan se do të largoheshin: OpenAI rikthen Sam Altman si CEO
- Largohet edhe Mira Murati! Situata kaotike në OpenAI: 3 CEO në vetën 3 ditë
- Mira Murati, CEO e përkohshme e OpenAI