Kinema & TV

Pse interneti është kthyer kundër Blake Lively (dhe s'i vëmë dot faj)?

Shkruar nga Anabel

21 Gusht 2024

Pse interneti është kthyer kundër Blake Lively (dhe s'i

Rishtazi, nëpër TikTok qarkullojnë video që tregojnë se interneti ka një shënjestër dhe një ‘armike’ të re: Blake Lively! Aktorja po promovon filmin “It Ends With Us”, i frymëzuar nga libri me të njëjtin titull nga Colleen Hoover. Subjekti i librit dhe filmit flet për një marrëdhënie që duket përrallore, por në fakt, është një romancë e mbështetur në dhunën fizike dhe psikologjike.

Blake ka zgjedhur ta ‘promovojë’ në mënyrën e saj, por me thënë të drejtën, internetit historikisht nuk i ka shpëtuar gjë, ndaj si zakonisht, ka të drejtë. “Merr shoqet, vishu me rroba me lule dhe eja shih filmin”, tha Blake në një prej intervistave dhe sigurisht, kjo s’është aspak mënyra e promovimit të një filmi që na jep mesazhe se duhet ta ndërpresim ciklin e dhunës.

Kujdes! Tani fillojnë pak spoilers!

Epo, kurioziteti nuk të lë, ose ke parë filmin, ndaj ecim! “It Ends With Us” tregon historinë e Lily Blossom Bloom, një vajzë që ka ëndërr të ketë një dyqan lulesh. Bloom përjeton humbjen e të atit abuziv dhe ndërkohë, bie në dashuri me një neurokirurg, Ryle Kincaid. Seksi, i dashuruar dhe shumë i mirë për të qenë i vërtetë, Ryle dhe Lily lidhen bashkë. Ndërkohë, Ryle është edhe vëllai i shoqes së ngushtë të Lily Bloom. Si përfundim, Ryle është abuziv dhe mashtrues dhe Lily e lë ndërsa ishte shtatzënë me një vajzë. Ata bashkëprindërojnë për rritjen e saj.

Me thënë të drejtën, portretizimi i dhunës në film nuk është fryëmzuar shumë nga ai në libër dhe ka marrë përshtypje të përziera nga njerëzit që mezi e prisnin filmin. Disa kanë akuzuar autoren për “fetishizimin e marrëdhënieve toksike”, ndërsa disa të tjerë, filmin, pasi momentet e dhunës janë disi të ngatërruara.

Gjithsesi, për t’u rikthyer te Blake, ajo në njëfarë mënyre po e trajton “It Ends With Us” si “Barbie”, i cili është një film mbi feminizmin dhe u kthye në një ndër promovimet që ndryshoi deri diku mënyrën e reklamimit të një filmi. “Barbie” solli një moment të rëndësishmë kulturor, që prej mesazheve në film e deri te veshjet dhe trendet që solli Margot Robbie.

@blind.items Blake Lively promoting a film about DV like Barbie is wildddd #blakelively #popculture #itendswithus ? original sound - Blind Items

Që të jemi të qartë, nuk ka asnjë problem me marketingun e një filmi, por “It Ends With Us” flet për dhunën fizike dhe psikologjike, me të cilat përballen shumë gra në botë, ndaj tematika mund të trajtohet në një çështje më serioze, duke frymëzuar dhe drejtuar gratë nëpër qendra dhe profesionistë të specializuar për problematika të tilla. Sigurisht, idetë dhe ndërthurja e promovimit dhe kontributit në zgjidhjen e një plage të tillë shoqërore janë të pafundme.

@lesliee.mg both actors did a great job in their roles. But the difference in their press tour spoke very loud about their views on the movies real issue. #itendswithus #iewupresstour ? take a moment to breathe. - normal the kid

Nga ana tjetër, Blake po qëllon 3 zogj me një gur. Ajo po e përdor promovimin e filmit për të promovuar edhe kompaninë e saj të pijeve alkoolike, duke sjellë kokteje të krijuara me pijet që shiten në kompaninë e saj në festat e premierave. Një ndër koktejeve të krijuara me gin-in që prodhon kompania e bashkëshortit të saj, Ryan Reynolds, mban emrin “Ryle You Wait” dhe po, është po aq e çuditshme sa tingëllon: Një koktej i bazuar te një burrë abuziv! Kjo mund të trajtohet në qindra mënyra, një prej tyre është edhe lidhja mes dhunës fizike që vjen për shkak të konsumimit të alkoolit.

Zogu i tretë që Blake synon të gjuajë? Promovimi i markës për kujdesin e flokëve, ndërkohë që në filmin “It Ends With Us”, vetëm flokët nuk kanë rëndësi. Në marketingun e një prodhimi kinematografik ku flitet për dhunën dhe abuzimin, mund të ketë shumë vështirësi, por nuk mund të mohohet se ka gabime të shumta në atë që Blake po bën. Problemi kryesor është se aktorja duket se e ka kaluar në plan të tretë filmin dhe po përdor gjithçka për t’i bërë reklamë kompanive të veta dhe gjykuar nga gjithë ‘urrejtja’ që po merr online, strategjia nuk po shkon në rrugën e duhur.

Artikuj të sugjeruar: