Shqipëri/ Rritet fluksi në kufirin me Greqinë
Në fundjavë është rritur shumë fluksi i lëvizjeve në anët e kufirit të Kakavijës. Sipas policisë kufitare në Gjirokastër, të shtunën dhe të dielën, kanë hyrë në Shqipëri dhe kanë shkuar drejt Greqisë rreth 15 mijë njerëz.
Pjesa më e madhe e këtyre personave janë shqiptarë që kthehen nga Greqia për të bërë pushimet në vend. Megjithë fluksit të lartë, nuk ka pasur radhë pritjeje, pasi janë marrë masa paraprake në sportelet shqiptare dhe greke, për kontrollin në kohë të dokumenteve.
Izraeli kërcënon Hezbollahun
Ministria e Jashtme në Izrael, në një deklaratë, është shprehur se grupimi Hezbollah shkeli vijat e kuqe kur sulmoi më 28 korrik territorin e Lartësive të Golanit, zonë e pushtuar nga Izraeli. Gjatë sulmit vdekjeprurës u vranë 12 të rinj. Izraeli e cilësoi sulmin si një masakër dhe paralajmëroi Hezballahun se do të paguajë një çmim shumë të lartë.
Daniel Hagari, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, e etiketoi këtë sulm si më vdekjeprurësin, pas atij që Hamasi bëri më 7 tetor 2023, duke nisur kështu luftën në Gaza. Kujtojmë se Hezbollah ka sulmuar herë pas here Izraelin, që pas nisjes së luftë në Gazë, si dhe ka marrë sulme të shumta nga ushtria izraelite.
Kryeministri i Hungarisë thotë se BE nuk ka moral
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka kritikuar në fjalimin e tij Bashkimin Europian, duke u shprehur se nuk ka moral. Ai shprehu në fjalim edhe mbështetjen e plotë ndaj Donald Trump, si dhe prezantoi axhendën me tone nacionaliste.
Në një fjalim që zgjati thuajse 2 orë e 30 minuta, Orban kundërshtoi politikat perëndimore për mbrojtjen e komunitetit LGBT dhe promovimin e tyre, duke treguar se nuk kanë vlera të krishtera. “Në Perëndim, nuk ka moral! Mund ta shihni edhe në hapjen e Lojërave Olimpike”, u shpreh Orban.
Lojërat Olimpike Paris 2024: Mbi 10 mijë atletë nga e gjithë bota
Në eventin më të madh të vitit, Parisi është vizituar nga plot 10,714 atletë nga 206 shtete të botës, të cilët do të konkurrojnë në 32 disiplina të ndryshme sportive, për të çuar në vendet e tyre medaljet. Parisi u angazhua që të sillte një evente spektakolar, i cili për herë të parë nuk organizohet brenda një stadiumi, por përfshin të gjithë qytetin.
Franca do të shpenzojë rreth 9 miliardë euro për organizimin, akomodimin dhe sigurinë e njerëzve që garojnë ose ndjekin Lojërat Olimpike.