Shqipëria

Letra e mësueses së ndjerë Ina Kasimati ku tregon përvojën në Onkologjik: “Më ishte kthyer në tmerr”

Shkruar nga Anabel

28 Qershor 2024

Letra e mësueses së ndjerë Ina Kasimati ku tregon

Mësuesja dhe aktivistja Ina Kasimati u nda nga jeta më 23 mars 2024, për shkak të kancerit. Rishtazi, pas skandalit të spitalit Onkologjik, është bërë virale letra e saj, ku ajo tregonte përvojën në këtë spital.

“Unë, kur u diagnostikova me kancer gjiri para 4 vitesh , operacionin e bëra te spitali Onkologjik në QSUT. Jam operuar (unë dhe shumë pacientë) në një krevat me tre këmbë dhe m’u hoqën të gjitha limfonodulat pasi kështu ishte aparatura. Më pas, shefja e terapisë, Dr. Dhurata nuk më dha terapinë sipas protokollit dhe vetëm kur shkova në Itali për vizitë, e mësova këtë gjë. Kur u ktheva dhe ia thashë Dr. Dhuratës, ajo më tregoi listën e pacientëve që prisnin prej disa muajsh të merrnin Zoladex-in. I shkrova atëhere drejtorit të spitalit, z.Joti .Asnjë përgjigje”, shprehej Ina.

Mandej, ajo thoshte se i shkroi edhe ministres dhe në fund, kryeministrit Edi Rama:

“I shkrova ministres, znj.Manastirliut. Asnjë përgjigje. Pastaj, një shoqe më sugjeroi t’i shkruaja kryeministrit. M’u duk absurde, por e bëra. Dhe për gjysmë ore, drejtori i spitalit më shkroi një sms (të lante gojën): “Znj.Kasimati , ju e keni marrë ilaçin në farmacinë e spitalit” ( qesharake). E kundërshtova dhe i shkrova që nuk e kam marrë ilaçin dhe as që nuk e dija ku ishte farmacia e spitalit. Pas disa ditësh më telefonuan dhe u futa në listë për ilaçin. Pas tre vitesh, kur m’u përsërit sëmundja dhe u bë publike thirrja për të më ndihmuar financiarisht të ikja jashtë dhe qindra shqiptarë filluan të më mbështesnin, më mori në telefon ministrja znj.Manastirliu dhe më pyeti për shëndetin”.

Ina rrëfente gjendjen në spitalin Onkologjik:

“I thashë dua të iki në një spital jashtë, pasi spitali Onkologjik për mua ishte kthyer në një tmerr që te dera e hyrjes ku të shtynte polici dhe koordinatori dhe në dhomën e vogël e onkologes, që shkoja çdo tre muaj dhe për ironi pas Covid-it ishin dy mjekë, që thjesht mbushnin kartelën dhe ikje bëje terapinë. Asnjë krevat në dhomë, as stetoskop, as privatësi të komunikoje me doktorin. Te dera prisje në këmbë në radhë. Nuk e di nëse keni shkuar në spitalin Onkologjik, në katin e parë ku janë vendosur foto nga Shqipëria turistike me një diçiturë në anglisht të një firme farmaceutike: “Bëje tani , atë që pacienti ka nevojë më pas”! Aty ishte edhe një fotografi nga një kishë në Voskopojë ku në oborr ishte një varr. Kur e kam parë jam tmerruar. I bëra foto. Ia dërgova drejtorit, e postova edhe në faqen time në Facebook dhe më pas u hoq”.

Gjithashtu, mësuesja dhe aktivistja e ndjerë ngrinte pikëpyetjet e saj (dhe të të gjithëve) rreth shërbimit mjekësor në vend:

“Para se të nisesha në Francë, falë mbështetjes së shqiptarëve dhe jo të shtetit, unë prisja përgjigjen e biopsisë, por nuk e mora pasi në spital mungonin kitet. Ndërkohë, në ato korridore spitali kam takuar familjarë të pacientëve aty, të shqetësuar për mungesë të ilaçeve, kimioterapisë. Për të mos folur për skanerin që ngelet si një gjë e rrallë që të bëhet dhe jo si një procedurë rutinë për të të ndjekur në ecurinë e trajtimit mjekësor, apo analizat, ilaçet. Një pacient që derdh sigurimet shëndetësore nuk ka pse t’i shkruajë drejtorit, ministrit, kryeministrit…Është turp! Në cilin vend të Europës ndodh kjo? Shërbimi shëndetësor duhet të jetë një normalitet nëse trajtohesh/operohesh në spitalin publik dhe nëse nuk bëhet aty, skena e sigurimeve shëndetësore e merr përsipër mbështetjen e pagesës për pacientin. Pse pasi bëhesh publik dhe kërkon ndihmë, ministrja të merr në telefon dhe “lan moralin” që shteti e dha ndihmën?”, pyeste e aktivistja e ndjerë.

Më tej, ajo rikujtonte edhe rastin e Genc Fugës, i cili gjithashtu mori ndihmën e qytetarëve për të kryer ndërhyerjen, pasi pësoi goditje në tru:

“Jam kurioze të di, në rastin e aktorit Fuga, çfarë mbështetjeje i ka dhënë shteti, kur ai është një pagues i sigurimit shëndetësor? Po Dr.Petrela, çfarë ka bërë konkretisht kur ai është doktor në spitalin publik dhe neurokirurgu më i mirë?”.

Ina ndërroi jetë në moshën 53-vjeçare. ajo ishte mësuese në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” në Tiranë dhe la pas dy djem, njëri prej të cilëve është i mitur.

Sa i përket rastit të Onkologjikut, mund të lexoni artikullin e rekomanduar: