TV Mania

Genci Fuga flet për sfidën me shëndetin: “Fillon gjithçka nga e para”

Shkruar nga Anabel

31 Janar 2024

Genci Fuga flet për sfidën me shëndetin: “Fillon

Genci Fuga, i ftuar te “Rudina”, ka folur për operacionin, sfidat që përjetoi dhe llogarinë në GoFundMe. 

“Kam pasur një fazë intensive për rikuperimin dhe kam pasur kohë të mendoj. Ne jo gjithmonë i japim peshën e duhur dashurisë, asaj dashurie që na sjell në jetë”, u shpreh aktori, i cili do të rikthehet sërish në skenën e teatrit.

Genci u shpreh: “Sa të vegjël jemi përballë universit dhe njohurive të deritanishme”, duke treguar se nuk kishte dijeni dhe as shenjë për goditjen në tru.
 
“Ishte kulmi që të shikoje dorën dhe të mos e lëvizje dot. Më lindte shumë shpesh ndjenja e xhelozisë dhe cinizmit për veprime nga më të ndryshme. Ka qenë jashtëzakonisht punë e madhe edhe nga ana ime, por edhe nga trajnuesit dhe fizioterapistët që unë të vishesha. Je në shina komplet të tjera, ecën në një rrugë të re, fillon gjithçka nga e para”.
 
Aktori iu referua jetës para goditjes në tru si “jeta e parë” dhe rikuperimit si një “mundësi të re jetese”.
 
Ai foli për ndihmën dhe krijimin e një llogarie në GoFundMe. Aktorja Eni Jani mbylli link-un për më pak se 24 orë, pasi u arrit shuma e kërkuar dhe në këtë mënyrë, nuk mori më tepër para se sa nga shuma që duhej për operacionin.
 
“Eni u mundua të më shpjegonte arsyen. Unë e prisja nga Eni si karakter, pasi e ka bërë vetë për disa punonjës. Më tha: “Zemra, unë s’u kam kërkuar të gjithëve lekë, por vetëm punonjësve të televizionit, por e mbylla shpejt (linkun)”.

Genci ceku edhe tematikën e mbështetjen që mori në kohë rekord: "Që në kontaktin e parë kur më tha Eni çfarë ishte bërë në pikëpamje elektronike, po qaja, edhe më tha: "Çfarë ke tani?". I thashë: "Zemër, nuk e prisja. Nuk e pret një gjë të tillë", duke vijuar: "Është për t’u falenderuar, jo dhe aq aspekti financiar, faleminderit për të gjithë atë, por nuk e ke idenë sa përfiton njeriu nga lutjet, vetëm nga lutjet e të tjerëve!”.

Para disa muajsh, Genci pësoi një goditje në tru dhe iu desh një operacion urgjent për t’i shpëtuar jetën. Menjëherë, e shoqja e tij, Eni Jani, hapi një llogari në GoFundMe dhe për më pak se 24 orë u mblodh shumë për operacionin dhe shërbimet spitalore të aktorit.