Kinema & TV

Pashë “5 herë jo” dhe po ju tregoj përshtypjen time pa filtra

Shkruar nga Anabel

14 Dhjetor 2023

Pashë “5 herë jo” dhe po ju tregoj përshtypjen time

“5 herë jo” u shfaq në kinema dhe mua nuk më la kurioziteti që të shihja një prodhim të ri shqiptar, i cili në trailer, përpos frymëzimeve nga filmat ikonikë si: “What happens in Vegas stays in Vegas”, apo “The Proposal”, (nuk po i hyj me detaje kësaj pjese), më rriti shpresën se do të ishte një film i bukur.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Anabel Entertainment (@anabel.entertainment)

Subjekti i filmit flet për Jorën (Bora Zemani), e cila është një vajzë që e ka mendjen vetëm te karriera. Ajo është një shefe e pasjellshme me stafin, i vendos punonjësit nën presion dhe do që të shkëlqejë në aspektin e karrierës. Rrjedhimisht, nuk ka as kohë, as nerva dhe as nge për dashurinë. Shefi i Jorës, Shefiti (Agron Llakaj) e vendos atë në garë me Klarën (Egla Cenon) për një projekt të ri që do thyejë çdo rekord në median shqiptare. Jora, pushon nga puna regjisorin e vjetër dhe i lë vartësve të saj detyrën e vështirë që t’i gjejnë për një kohë shumë të shkurtër një regjisor të ri. Ata gjejnë Gjergjin (Donald Veshaj), i cili kthehet nga Viena në Tiranë. Shefiti (Agron Llakaj) ka si moto: “Në punë jemi një familje” dhe së bashku me stafin shkon në jug të Shqipërisë, për një “udhëtim që do ta bashkojë edhe më shumë stafin”, ku Jora dhe Gjergji përfshihen në aventura të shumta.

Por, para nisjes, Jora i thotë shefit, i cili siç e thamë ka primare familjen, se ka gjetur një të dashur dhe siç jua pret mendja, “i dashuri” do të jetë Gjergji. Jora i kërkon Gjergjit (kur mbërrijnë në jug) të shtiret si i dashuri i saj.

Kujdes! Para se të vijosh, ky artikull përmban spoliers.

Deri këtu jemi okay, madje, okay jemi deri në 20-minutëshin e parë të filmit. “5 herë jo” nis me ritëm dhe fillimisht, të mban paksa pezull, për të të shtuar kërshërinë se ç’do të ndodhë në skenën tjetër. Sigurisht, mua, si shikuese, ky 20-minutëshi i parë më gënjeu dhe mendova se filmi do të kishte të njëjtën rrjedhë edhe në pjesën e mbetur, por fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu.

Skenari çalonte në disa drejtime, pasi ishte i palidhur me ngjarjen. Ishte praktikisht: Shto batuta, shto pak aktualitet dhe ironi, harro ngjarjen.

Në film kishte copëza ngjarjesh virale që kanë ndodhur në Shqipëri me një ton ironie (momenti kur Gjergji është në taksi, duke ardhur nga Rinasi në Tiranë dhe ndërkohë që puhiza e erës i përkëdhel fytyrën, sheh dy kriminelë me maska që po djegin një makinë, si dhe skena e refugjatëve në jug) dhe harron totalisht historinë romantike mes Jorës dhe Gjergjit, duke iu larguar kështu zhanerit. Në disa momente, skenat bëheshin absurde (mjekra e Donaldit që rritet për 1 ditë).

Para se të kaloj tek aktrimi, dua të shtoj edhe se pas 20-minutëshit të lavdisë, filmi bëhej i pritshëm dhe i përngjante një puzzle që thjesht s’kishte copëzat e duhura.

Tani, po e thelloj përshtypjen time:

- Jora dhe Gjergji, çift në jetën reale, në këtë film nuk kishin fare kimi. Domethënë, nëse një person që nuk e di se Bora dhe Donaldi janë të lidhur dhe shumë shpejt do të martohen, nuk do e kuptonte fare se janë bashkë dhe do ta mendonte se ishin thjesht dy aktorë që po marrin lekët nga ky film. Unë u mashtrova paksa nga deklarata e Borës, e cila thoshte se “duhet të putheshin “me detyrim” dhe kjo ishte vështirësia më e madhe sepse puthjet e tyre vinin shumë të ndjera”, por më vjen keq ta them: Jo, nuk kishte kimi dhe nuk mendoj se ishte shumë problem pjesa e puthjes së tyre.

- Personazhet kryesore në këtë film janë Jora dhe Gjergji, normalisht, por papritur, shefi i Jorës, i luajtur nga Agron Llakaj, bëhet protagonisti kryesor dhe personi që mban peshën dhe batutat e filmit. Agroni e lidh në mënyrë të përkryer aktrimin, mimikat, intonacionin dhe ndryshe nga personazhet e tjera, ka një zhvillim më natyral dhe të këndshëm. Sigurisht, arsyeja kryesore është sepse Agroni është aktor, por vihej re dukshëm se në skenar, personazhi i shefit “ishte mbajtur me hatër”. Me të, ishin marrë më shumë, kishte zhvillim, në të njëjtën kohë ishte konsistent (kishte shkruar një libër, mendonte se familja është gjithçka dhe këtë e përsëriste pa e bezdisur shikuesin).

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by 5 Herë Jo (@5herejo)

-  Sa i përket personazhit të Jorës (Bora Zemani), nuk pata pritshëmëri, sepse të jem e sinqertë, Bora edhe në moderim, nuk përcjell shumë emocione. Domosdo, është një Bricjap tipik. Mbaron punë dhe kaq. Në film, ishte surprizuese, pasi transmetoi ndjesi, emocione, mimika, pra, nuk ishte një personazh linear.

- Ndryshe nga ç’ma rrokte mendja, Gjergji (Donaldi) ishte e kundërta e Jorës (Borës). Duke qenë se Donaldi është aktor, mendova se do të bënte më të mirën në filmin ku është aktor kryesor dhe producent, por jo. Ose ndoshta ajo ishte më e mira dhe unë s’e kuptova. Donaldi kishte një zë linear, të mërzitshëm, batuta alla Ken te filmi “Barbie” dhe dukej herë pas here se personazhi i tij (i përcjellë si shumë naiv) thjesht s’ishte marrë shumë seriozisht. Në shumë raste, ai e linte situatën t’i rrëshqiste nga duart, duke krijuar një hendek mes batutës dhe aktrimit.

- Një problem i madh për mendimin tim ishte mostrajtimi i filmit si një komedi romantike. Jora dhe Gjergji shkojnë në një udhëtim, ku duhet të shtiren si çift dhe Gjergji dashurohet kokë e këmbë me të. Unë do të doja shumë të dija se si dashurohet, pse dashurohet, çfarë ndodh, në cilin moment unë si shikuese e shoh dhe e dëshmoj që ai dashurohet si i marrë për 3 ditë, por as kjo nuk ndodhi.

Skenaristët ishin më të interesuar të bënin batuta sa për të kaluar radhën, pa u interesuar te subjekti dhe tek ajo çka duhet të ndodhë në një komedi romantike. Skenat ishin në shumë raste të pritshme, dialogu gjithashtu. Mes dy “zogjve të dashuruar” dialogu mungonte dhe Donaldi e shprehte pjesën e tij sikur po e lexonte diku. Pa pikë, pa presje, pa emocione.

Për mua, ky film është i palidhur dhe është bërë “shto miell e shto ujë” dhe kam shembuj konkretë:

- Raporti me kohën - Në shumë raste, prerjet mes skenave ishin të papritura dhe nuk ishte një proces “smooth” që të kalonte në skenën tjetër.

- Logjika e skenarit – Jorës dhe Gjergjit ia vjedh laptopin burri i Klarës dhe ata mbeten pa projekt. Në një moment, Gjergji jep idenë gjeniale që të shkojnë në ishull vetë dhe ta bëjnë projektin atje. Pyetja ime është “Pse duhet të shkonin në ishull kur thjesht mund ta bënin nga dhoma e hotelit projektin nga e para?”.
Le të flasim pak edhe për momentin kur Jora duhet të tregojë se si u njoh me Gjergjin dhe jo, as nuk e merr mundimin të shpikë historinë më romantike të mundshme, por bën krejt të kundërtën.

- Ngatërrimi i zhanerit – Edhe njëherë, ju rikujtoj se filmi është komedi romantike dhe jo humor absurd (kur burri “i verbër” shkon perin në gjilpërë për shembull).

- Dialogu i cunguar – Në shumë prodhime shqiptare dialogu është i cunguar dhe këtë e vura re edhe te filmi “Në kuadër të dashurisë”. Edhe në këtë film, dialogu ishte i sikletshëm dhe nuk lidhej fare me mimikën e personazheve kryesore.

- Problemi me audion – Në disa skena audioja ishte e zhurmshme, nuk dëgjohej dialogu.

- Boshllëqet në skenar – Jora dhe Klara (Egla Ceno) në mënyrë të pashpjeguar kishin një konflikt që s’kishte një zanafillë dhe as një zhvillim. Klara do të fitojë projektin, i vendos shkopinj nën rrota Jorës,  por se për ç’shkak, nuk dihet.

- Një tjetër boshllëk është edhe fakti që titulli nuk shpjegohet. Se kur dhe se si Jora i tha Gjergjit “5 herë jo”, nuk e di askush!

- Zhvillimi i personazheve – Personazhet, përpos shefit të Jorës (Agron Llakajt) thjesht nuk zhvillohen, duke ngelur totalisht në vend. Nuk e dimë fare se pse gruaja e Shefitit në disa raste i hedh kunja burrit, nuk i shpjegojmë dot mimikat e saj; burri i Klarës nuk thotë asnjë fjalë, thjesht ekzekuton planet djallëzore të gruas; njerëzit në karrierë nuk zhvillohen dhe nuk ndodh asgjë me asnjë personazh. Pra, filmi dhe subjekti thjesht qëndrojnë si uji që qelbet në të njëjtin vend, pa bërë para.

- Fotografia, edhe pse ishte në përgjithësi e mirë, në disa raste bënte një kalim të papritur nga ngjyrat e ngrohta në të ftohta, si dhe në ndriçimin e portreteve (kur Jora dhe Gjergji qëndrojnë pranë zjarrit, ka një ndryshim të madh në ndriçimet e portreteve të tyre).

- Reklamimi pa kamuflim – E kuptuam që “Smeg” dhe “Diamond Dental” janë sponsor, por do të ishte më e bukur për filmin dhe shikuesin që të futeshin në mënyrë më inteligjente në sfond. Reklama e “Diamond Dental” nuk lidhej me situatën, pasi asnjë punë në Shqipëri nuk të kërkon gjendjen e dhembëve për të të marrë në punë.

- Ndërhyrjet – “Aktori special” në këtë film ishte Alban Skënderaj, i cili kishte krijuar edhe kolonën zanore të filmit. Ai hyn në skenë, ndërpret puthjen e Jorës dhe Gjergjit dhe nis të këndojë me kitarë. E gjitha kjo bëhet kështu siç po e tregoj, pa tranzicion, pa asnjë ngjarje apo batutë në mes.

Megjithatë, duhet ta them se “5 herë jo”, ka disa skena humoristike të lezetshme, por unë prisja që shkëndija e dashurisë minimalisht të trajtohej në film. Befas, skenari e harron çiftin që po krijohet dhe përqendrohet te shakatë, ironia dhe e ul ritmin e filmit, duke e berë aspak interesant. Humori në total nuk ishte super inteligjent dhe zëvendëson edhe ndjesitë serioze si dashuria.

Personalisht, do e vlerësoja me 5/10, për shkak të problematikave që rendita më sipër, por e di që nuk do të ndikoheni aspak nga vlerësimi im. Madje, ju inkurajoj ta shihni, sepse “5 herë jo” është një prodhim totalisht shqiptar. :)

Tani që kujtohem, ndoshta "5 herë jo" s'i tha Jora-Gjergjit, por do i them unë këtij filmi dhe mendoj se pjesa më e bukur mbetet propozimi i Donaldit. Gjithsesi, mbetet mendim personal. 

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Anabel Entertainment (@anabel.entertainment)

 - Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga A. Shehu, redaktore kontribuese në Anabel Media.

Artikuj të sugjeruar: