Mjeshtri i Madh i humorit, Zef Deda, ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare, duke lënë pas bashkëshorten, djemtë e tij dhe një trashëgimi të pasur rolesh për humorin shqiptar. Julian Deda, i biri i tij, publikoi një foto duke ecur me të atin, me një mbishkrim prekës.
“Ecja e fundit bashkë! Bab, direkt më mori malli. Më mori malli për zërin tënd, për batutat e tua, për veprimet e tua, për shikimin tënd, për këshillat e tua, për energjinë tënde, për pozitivitetin tënd, për përqafimin tënd, më mori malli për ty”, shkroi ai.
Më tej, vijoi:
“Ahh, çfarë babai, çfarë figure, çfarë talenti, çfarë personaliteti, çfarë njeriu! Nuk e kam vënë asnjëherë në dyshim madhështinë e këtij njeriu, por dje dhe sot, vërtetova se Zef Deda, përfundimisht nuk ishte vetëm i familjes sonë, por ishte pjesë e çdo familjeje shqiptare".
"Nuk gjej dot fjalët për të shprehur mirënjohje ndaj secilit prej jush. Jam i emocionuar për respektin që ju treguat për Zefin si njeri dhe si artist. Faleminderit ju, publik i dashur, për çdo fjalë të mirë, çdo status në rrjetet sociale, çdo foto të shpërndarë, çdo SMS të dërguar, çdo lot, çdo shtrëngim duarsh dhe çdo përqafim, duke shprehur në të gjitha mënyrat respekin për figurën e tij dhe dhimbjen e largimit nga kjo botë”, u shpreh Juli, duke falenderuar më tej mediat, televizionet, personazhet publike, si dhe gjithë shqiptarët që nga çdo cep i vendit dhe nga jashtë shtetit që lehtësuan sadopak dhimbjen e familjes.
Juli shtoi: “Babush, unë besoj se ti ke parë gjithçka që ndodhi dje dhe sot, e pe respektin e një populli të tërë për ty. Jam i bindur se ishe aty, ta di tipin, nuk ikën kollaj ti, madje nuk ikën kurrë. Ti je z. Unik, i përjetshëm, sepse njerëzit vdesin kur harrohen dhe ti s’ke për t’u harruar në jetë të jetëve”.
“Zemra ime, nuk e ke idenë sa të dua. Por, pa merak, do flasim çdo natë. Do më pyesësh për tekstin e javës dhe unë do raportoj si studenti yt i përjetshëm, pastaj do dalim dhe do ecim, krah për krah, si gjithmonë! Nder i madh të jem yt bir!”, përmbylli postimin Juli.
View this post on Instagram
Zef Deda, i konsideruar shpesh si “Charlie Chaplin shqiptar”, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Sipas Klan.al, ai vuante prej pak kohësh nga një sëmundje e rëndë.
I lindur në Shkodër më 27 korrik 1950, Zef Deda i ka dhënë shumë humorit shqiptar. Prej më shumë se 40 vitesh punoi në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Ai njihet për rolet e tij në “Kunati i shokut Xhemal”, “Kola i dritave”, “Charlie Chaplin”, “Kushëriri nga Amerika”, "Vëllai nga babai"dhe "Kollovari", si dhe shumë skeçe që e bënë një aktor mjaft të dashur për shqiptarët.
Humoristi është vlerësuar me çmimet “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, si dhe “Naim Frashëri”.