Të gjithë e dimë, se “prekja finale” në çdo make up është rimeli i qerpikëve, pjesë e rutinës së bukurisë që ndihmon për të zgjatur qerpikët ose për t’i bërë sytë që të duken më të mëdhenj. Ekzistojnë disa lloje rimelësh, por ai i papërshkueshëm nga uji mund të përdoret edhe më shpesh sepse garanton që rimeli të mos dalë në fytyrë kur ju le të themi ecni në një ditë me shi, futeni në pishinë, bëni shumë palestër etj.
Ekspertët thonë se ky rimel nuk është pa rrezik për shëndetin. Pse duhet të tregohemi të kujdesshëm ndaj rimelit të papërshkueshëm nga uji?
Mjekja Alexa Hecht thotë për revistën “Grazia” se duhet pasur shumë kujdes me përdorimin e tij. “Ky rimel nuk duhet të jetë zgjedhje e përhershme, sa herë që ju bëni make up. Arsyeja është se jo vetëm mund të shkaktojë acarim dhe tharje rreth syve, por mund të bllokojë edhe gjëndrat dhjamore," thotë ajo. Për të arritur formulën e rimelit që nuk lëviz nga uji, përdoren shumë kimikate si parafina dhe silikoni. Për më tepër, ky rimel mund të jetë i vështirë për t'u hequr dhe kjo mund të çojë në humbje të qerpikëve dhe formim të rrathëve të zinj rreth syve.
Përdorimi çdo ditë i këtij rimeli bëhet i rrezikshëm sidomos për gocat që janë alergjike apo kanë sy të ndjeshëm. Pra, përdorimi i rastësishëm, ose në raste të caktuara nuk është problem, por nëse e bëni çdo ditë, me këtë hap ju mund të dëmtoni sytë dhe të rralloni qerpikët.
Nëse doni të parandaloni një alergji apo acarim të mundshëm, përdoreni në raste të rralla.