
Një grua ka ngritur një padi kundrejt këngëtarit të Aerosmith, Steven Tyler, për sulm seksual, kur ajo ishte 17 vjeç. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në vitin 1975.
ET siguroi dokumentet e gjyqit dhe gruaja, e quajtur Jeanne Bellino, thotë se në një mbrëmje, ajo, Steven dhe një mik shkuan në një shfaqje mode në Manhattan. Bellino, asokohe adoleshente, nënshkroi një konktratë me një agjenci modelingu dhe udhëtoi nga vendi i saj për në Manhattan, ku takoi edhe Steven Tyler.
Ajo thotë se bëri një koment mbi një prej këngëve të grupit dhe kjo e acaroi keq Tyler, i cili e kapi prej fyti dhe e futi në një kabinë telefoni.
“Ndërsa e mbante me zor, Tyler i futi gjuhën në fyt dhe i vendosi duart në trupin e saj, në gjoks dhe në organet gjenitale, duke i hequr rrobat dhe duke e mbajtur në kabinën telefonike”, thuhet në dokumente.
Bellino pretendon se Tyler “po e ofendonte dhe po e prekte” dhe po shtirej sikur po kryenin marrëdhënie seksuale. Sipas saj, ai ishte i eksituar dhe kjo ishte mëse e dukshme, pasi ai s’kishte veshur të brendshme dhe pantallonat e tij kishin material të hollë. Ajo shtoi se u përpoq që të çlirohej dhe ia doli duke liruar krahun. Ajo thotë se e kapi Steven prej flokësh dhe e gjunjëzoi. Në këtë moment, ai e la dhe doli nga kabina.
Gjatë sulmit të supozuar, paditësja thotë se miqtë e tij e panë skenën, qeshën dhe nuk bënë asgjë për të ndërhyrë. Ajo tha se për të shkuar sërish mbrapsht, duhej të ishte në makinë me mikun e saj. “Isha e trullosur, konfuze dhe e shokuar”, tha ajo dhe shtoi se Tyler e ngacmoi sërish në hotel, duke e ngjitur pas muri dhe duke i futur gjuhën në gojë.
Ajo thotë se një punonjës i hotelit pa gjithë skenën dhe më pas, telefoni një taksi për të. Sapo mbërriti në shtëpinë e saj, Bellino tha se e ndau historinë e tmerrshme me të motrën dhe se ende qan në mënyrë të pakontrollueshme.
Kjo është akuza e dytë për sulm seksual me të cilin përballet Tyler. Në shkurt, Julia Misley tha se në vitin 1973, kur ajo ishte vetëm 16 vjeç, ai përdori statusin e tij prej rockeri për ta “manipuluar, shfrytëzuar dhe sulmuar seksualisht” për 3 vite.