Ndryshimi i orës të dielën e fundit të muajit tetor dhe mars është një ritual i përvitshëm për Europën dhe disa vende të tjera, që prej vitit 1981. Qëllimi kryesor i ndryshimit të orës është sigurimi i orëve shtesë me dritë për mbrëmjet e verës dhe mëngjeset e dimrit.
Nesër (e diel, 29 tetor) ndryshimi i orës do të ndodhë pas mesnatës të së shtunës ku nga 3:00 do të zhvendoset në 2:00. Pra, akrepat do të shkojnë 60 minuta pas.
A është i rrezikshëm ndryshimi i orës? Pak. Orët tona biologjike janë pak të konfuzuara. Njerëzit janë qenie të brishta dhe ndryshimi më i vogël ka ndikim.
Në rastin e ndryshimit të orës, shumë prej nesh e përjetojnë keq mendërisht dhe nuk ndihen në sinkron me botën.
Studime të mëparshme kanë vënë re rritje të numrit të aksidenteve automobilistike mëngjesin pas ndërrimit të orës si dhe lëndime në vendin e punës. Të tjerëve iu ndikon në ndryshimin e sensit të humorit dhe gjendjes shpirtërore; probleme me gjumin, që sjellin lehtësisht mërzitje, lodhje, inatosje apo në disa raste edhe depresion; vështirësi në përqendrim apo dhimbje koke.
Këto simptoma zakonisht zhduken shpejt, sa të mësohemi me ciklin e orës së re.