Një djalë 22-vjeçar që qëndronte i palëvizur në një vitrinë në Varshavë duke mbajtur një çantë dhe duke u shtirur si manekin është akuzuar për vjedhje dhe hyrje të paligjshme në pronë me qëllim vjedhjen.
Policia polake tha se i dyshuari, emri i të cilit nuk përmendet, kaloi pa u vënë re nga stafi dhe blerësit ndërsa qëndronte i ngrirë në dritare së bashku me manekinët e tjerë.
Ai u akuzua se shkonte në departamente të ndryshme dhe merrte bizhuteri pas orarit të mbylljes. “Me një çantë në dorë, ai qëndroi i ngrirë përpara një vitrine, duke u shtirur se ishte manekin,” tha në një deklaratë policia.
22-vjeçari akuzohet edhe për incidente të tjera në qendrën tregtare. Një ditë tjetër, dyshohet se shkoi në një lokal të qendrës tregtare dhe hëngri, ndërsa më pas hyri në një dyqan rrobash për të shkëmbyer rrobat e tij me të reja.
Në një tjetër incident, dyshohet se ka pritur deri në orarin e mbylljes për të marrë para nga disa kasa dhe se ka tentuar të vjedhë sende.
Atij i është caktuar masa e paraburgimit për tre muaj dhe mund të përballet me deri në 10 vjet burg nëse shpallet fajtor.