Bota

Videoja virale: Nëna mbron djalin nga ariu

Shkruar nga Anabel

28 Shtator 2023

Videoja virale: Nëna mbron djalin nga ariu

Një grua në Meksikë mbrojti djalin e saj pasi një ari i zi u hodh mbi tavolinën e piknikut, disa centimetra larg nga fytyra e tij dhe gëlltiti tacos dhe enchiladas të darkës së ditëlindjes së tij.

Silvia Macías nga Mexico City shkoi në parkun Chipinque në periferi të qytetit të Monterrey për të festuar ditëlindjen e 15-të të djalit të saj, Santiago, i cili ka sindromën Down.

Menjëherë pasi u ulën për të ngrënë, u shfaq një ari i zi që nisi të gëlltiste patate të skuqura, enchiladas, tacos dhe ushqimet e tjera. Videoja e xhiruar nga shoqja e saj Angela Chapa tregon Silvia-n e cila qëndron e ulur stoikisht, pak centimetra larg nga goja e ariut, duke mbajtur Santiago-n dhe duke i mbuluar fytyrën me duar. Ajo i mbajti sytë ulur për të shmangur çdo gjë që ariu mund ta konsideronte si sfidë.

“Gjëja më e keqe ishte se Santiago mund të frikësohej,” tha Silvia në një intervistë me Associated Press. “Santiago ka shumë frikë nga kafshët… një mace apo një qen, çdo kafshë e frikëson shumë.”

“Kjo është arsyeja pse i mbulova sytë, sepse nuk doja që ai ta shihte dhe të bërtiste apo të ikte. Kisha frikë se nëse ai do të frikësohej ose do të bërtiste, ose do të trembte ariun, ariu do të reagonte.”

Santiago qëndroi i palëvizur, edhe pse “ariu ishte shumë afër nesh, e dëgjuam teksa gërrmonte, teksa hante, ndihej era e ariut. Ishte vërtet shumë, shumë afër.”

I pyetur nëse ishte frikësuar, Santiago tha: "Po, shumë."

Angela, e cila filmoi skenën, jeton në Monterrey dhe e dinte sjelljen e duhur në rast se ndeshesh me një ari të zi: mos vrapo kurrë.

Ajo vuri re një pjatë me enchiladas që ariu nuk e kishte ngrënë dhe e zhvendosi larg, pasi ia tregoi kafshës. Siç pritej, ariu ndoqi ushqimin dhe ajo i qëndroi përballë, duke mbrojtur Silvia-n dhe Santiago-n në mënyrë që të tërhiqeshin në heshtje dhe ngadalë.

Më në fund, ariu u largua. Silvia tha se ajo nuk mendonte se kishte bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. "Unë thjesht mendoj se jam një nënë që mbrojti të voglin e saj."