Libi: Deri në 2,000 njerëz dyshohet se janë mbytur si pasojë e stuhisë
Rreth 2,000 njerëz mund të jenë mbytur si pasojë e një stuhie të fuqishme që shkaktoi përmbytje katastrofike në qytetin lindor të Libisë, Derna, sipas kreut të një prej dy qeverive rivale të vendit.
Ossama Hamad, kryeministër i qeverisë në lindje, raportoi "më shumë se 2,000 të vdekur dhe mijëra të zhdukur" vetëm në qytetin Derna, pas shirave të rrëmbyeshëm gjatë fundjavës të sjellë nga stuhia mesdhetare Daniel. Asnjë burim mjekësor apo shërbimi i urgjencës nuk i ka konfirmuar shifrat.
Numri i saktë i të vdekurve vështirë të dihet për shkak të mungesës së komunikimit ndërmjet administratave të dy qeverive, të cilat janë përfshirë në një betejë dhjetëvjeçare për pushtet dhe mbështeten secila nga milicitë e tyre.
Marok: Numri i të vdekurve kalon 2,800
Numri i të vdekurve si pasojë e tërmetit në Marok ka kaluar mbi 2,800. Tërmeti i së premtes me magnitudë 6.8, më vdekjeprurësi i Marokut në më shumë se gjashtë dekada, goditi një grup të izoluar fshatrash malorë 45 milje në jug të Marrakech dhe tronditi infrastrukturën deri në bregun verior të vendit.
Televizioni shtetëror raportoi se numri i të vdekurve ishte rritur në 2,862 me 2,562 persona të plagosur dhe pritet që numri mund të rritet pasi ekipet e shpëtimit të arrijnë në fshatrat në male.
Kim Jong-un mbërrin në Rusi për të takuar Putinin; SHBA kërcënon me sanksione
Kim Jong-un ka mbërritur në Rusi për një samit të rrallë me presidentin Vladimir Putin për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për furnizimin me armë nga Koreja e Veriut për luftën në Ukrainë.
Takimi pritet të mbahet pasditen e së martës. Udhëtimi i Kim në Rusi dhe takimi me Putin do të jetë një vizitë për të forcuar lidhjet, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Takimi vjen mes shqetësimeve në perëndim se Kim Jong-un planifikon t'i ofrojë armë Moskës për të zëvendësuar rezervat që janë varfëruar shumë gjatë 18 muajve të luftimeve në Ukrainë.
Ukraina rifiton kontrollin e platformave strategjike të naftës në Detin e Zi
Forcat ukrainase kanë rifituar kontrollin e disa platformave të shpimit të gazit dhe naftës në det të hapur pranë Krimesë, ka thënë inteligjenca ushtarake e Ukrainës (GUR).
Në një deklaratë në Telegram të hënën, GUR tha se forcat e Kievit kishin rimarrë platformat e shpimit të njohura si "Kullat e Bojkos" në një "operacion unik".
Inteligjenca tha se platformat ishin pushtuar që nga viti 2015 nga Rusia, e cila pushtoi dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe ishin përdorur nga Moska për qëllime ushtarake që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.