Gjyqtarët holandezë kanë urdhëruar një burrë, i cili dyshohet se është babai biologjik i më shumë se 550 fëmijë përmes dhurimeve të spermës, që të ndalojë së dhuruari. Ky skandal ka tronditur Holandën për shumë arsye.
Burri, i identifikuar në mediat holandeze si Jonathan Jacob Meijer, 41 vjeç, u dërgua në gjykatë nga një fondacion që mbron të drejtat e fëmijëve të ardhur në jetë përmes dhurimit të spermës dhe nga nëna e njërit prej fëmijëve që dyshohet ka sjellë në jetë një fëmijë përmes spermës së tij.
Udhëzimet e klinikave holandeze thonë se një dhurues nuk duhet të jetë baba i më shumë se 25 fëmijëve në 12 familje, por gjyqtarët thanë se burri kishte ndihmuar në lindjen e 550-600 fëmijëve që kur filloi të dhuronte spermë në vitin 2007.
Nëse ai vazhdon të dhurojë spermë, do të përballet me një gjobë prej €100,000 për çdo shkelje, si dhe gjoba shtesë, urdhëroi gjykata.
“Dhuruesi qëllimisht keqinformoi prindërit e mundshëm për numrin e fëmijëve që erdhën në jetë me spermën e tij,” tha gjykata në Hagë. "Të gjithë këta prindër përballen tani me faktin se fëmijët në familjen e tyre janë pjesë e një rrjeti të madh farefisnie, me qindra gjysmëvëllezër e gjysmëmotra, të cilët ata nuk i kanë zgjedhur."
Gjykata argumentoi se ky rast mund të shkaktojë pasoja negative psikosociale për fëmijët, përfshirë këtu probleme psikologjike rreth identitetit dhe frikën e incestit.