Kela Huta u përfshi në një debat goxha agresiv me disa ndjekëse në profilin në Instagram, të cilat e kritikuan për vendimet e saj si nënë.
E gjitha nisi kur Klea publikoi një video nga Dubai teksa i ndërronte me vështirësi pelenën të birit, Kridit, sepse nuk kishte hapësira të dedikuara për nënat me fëmijë.
“Për çfarë i bëni fëmijët, s’e kuptoj, kur përtoni t’i mësoni?! Cohu o grua natën e ditën e çoje fëmijën në tualet se gjynah,” shkruan dikush. “Të drejtë ka komentuesja për Zotin” thotë një tjetër. “Nuk është aspak normale që fëmija të jetë me pelena në atë moshë,” lexohet në një tjetër mesazh drejtuar moderatores.
Në qershor të këtij viti, Krid mbush 3 vjeç. Në një video në Instagram, Klea ndër të tjera u shpreh:
“Mua më vjen keq për këta njerëz. As më ndikojnë fare në mënyrën si dua ta rris Kridin e se si dua që të edukohet. Jam e lumtur që ka një komunitet shumë më të gjerë që më shkruajnë - jo se që më mbështesin, sepse nuk kam nevojë për mbështetje në këtë pikë se për fëmijën e di unë se si i bëj gjërat dhe çfarë është më e mira për të - por jam e lumtur që ka njerëz që kanë avancuar, që i rrisin fëmijët jo me dhunë dhe trauma. Që i rrisin fëmijët duke i mësuar që t’i bëjnë gjërat kur fëmija të jetë gati, jo kur duan prindërit.”
Klea ka të drejtë në deklaratën e saj. Për shkak se çdo fëmijë zhvillohet me ritmin e vet, mosha kur një fëmijë do të ndalojë përdorimin e pelenave mund të ndryshojë shumë. Shumica e fëmijëve janë gati të nisin “stërvitjen” për përdorimin e tualitetit midis moshës 18 dhe 24 muajshe, megjithëse disa mund të mos jenë gati edhe më vonë.
Një fëmijë zakonisht është gati të mos përdorë pelenat kur është në gjendje të komunikojë nevojën e tij për të shkuar në tualet, mund të ndjekë udhëzime të thjeshta dhe të tregojë interes për uturakun. Disa fëmijë nuk mund të qëndrojnë plotësisht pa pelena deri pas moshës 4-vjeçare.
Duhet të theksohet se çdo fëmijë është i ndryshëm dhe nuk ka një moshë të caktuar në të cilën fëmija duhet që të mos përdorë më pelena. Prindërit duhet të jenë të durueshëm dhe mbështetës në këtë proces. Nëse keni shqetësime, është gjithmonë ide e mirë të flisni me pediatrin/en për udhëzime dhe këshilla.