
A keni dëgjuar për "sindromën e vajzës së madhe"? Ka të bëjë me barrën emocionale që vajzat e mëdha priren të marrin (dhe inkurajohen ta marrin) në shumë familje që në moshë të re.
Nga kujdesi për motrat e vëllezërit më të vegjël, ndihma për punët e përditshme, kujdesi për prindërit e sëmurë deri te blerja e ushqimeve, vajzat e mëdha shpesh mbajnë mbi supe një barrë të rëndë, por të padukshme të përgjegjësive shtëpiake që në moshë të re.
Sindroma #EldestDaughter tani është trend në TikTok, ku shumë vajza adoleshente po flasin për sasinë e padrejtë të punës së papaguar (dhe të pavlerësuar) që bëjnë në familjet e tyre, si dhe po diskutojnë efektet negative në jetën, shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
Hulumtimet tregojnë se fëmijët japin një kontribut të dukshëm, por shpesh të anashkaluar në punën shtëpiake. Duke pasqyruar ndarjen gjinore, vajzat nga pesë deri në 14 vjeç shpenzojnë 40% më shumë kohë në punët e shtëpisë sesa djemtë.
Siç shprehin shumë vajza në TikTok, sindroma mund të dëmtojë mirëqenien e vajzave më të mëdha dhe të "vjedhë" fëmijërinë e tyre, teksa ato marrin përsipër përgjegjësi të të rriturve.
Presioni i "sindromës së vajzës së madhe" mund të çojë në një sërë simptomash, duke përfshirë:
- ankth dhe stres
- ndjenja faji
- vetëvlerësim të ulët
- presion mbi veten
- vështirësi në vendosjen e kufijve
- lodhje
Të ndryshojmë diçka që nuk e shohim mund të jetë e vështirë. Kjo është arsyeja pse të qenit më të vetëdijshëm për "sindromën e vajzës së madhe", jo vetëm si një luftë individuale, por edhe si një çështje e pabarazisë gjinore, është një fillim i mirë. Duhet që familjet të njohin barrën e padrejtë që mund t'i jetë vendosur vajzës së madhe dhe të rishpërndajnë përgjegjësitë shtëpiake në mënyrë më të barabartë.
Vajza e madhe duhet të inkurajohet të zhvillojë interesa, hobi dhe miqësi jashtë përgjegjësive familjare. Anëtarët e familjes duhet të inkurajojnë komunikimin e hapur dhe të krijojnë një mjedis të sigurt dhe mbështetës ku vajza e madhe mund të shprehë ndjenjat dhe shqetësimet e saj pa frikë nga gjykimi.
Nëse vajza e madhe po përjeton simptoma të rënda si ankthi, mund të jetë e nevojshme të kërkoni ndihmë profesionale nga një terapist.