Shtatzania

Shumë gra në Europë po i drejtohen spermës daneze për të mbetur shtatzënë. Ja pse

Shkruar nga Anabel

3 Prill 2023

Shumë gra në Europë po i drejtohen spermës daneze për

Në të gjithë Europën, shumë gra kanë mbetur shtatzënë ose kanë lindur fëmijë përmes bankave daneze të spermës.

Disa klinika holandeze të fertilitetit thonë se më shumë se 60% e trajtimeve të tyre bëhen me spermë nga një institucion danez. Në Belgjikë, 6 nga 10 fëmijë të lindur falë dhurimeve të spermës thuhet se kanë baballarë biologjikë danezë.

Përafërsisht një e pesta e spermës së dhuruar të disponueshme në Mbretërinë e Bashkuar merret nga Danimarka. Irish Times madje pretendoi se 90% e spermës daneze shkon në vende të tjera të BE-së.

Pra, pse pikërisht ky vend ka fituar një terren të tillë në të gjithë Europën kur bëhet fjalë për dhurimin e spermës?

Një arsye mund të jetë fakti që Danimarka ishte një nga vendet e para që i kushtoi rëndësi të madhe trajtimit të fertilitetit, ndërsa që prej vitit 2006, lejoi gratë beqare dhe lesbike që të bëhen me fëmijë përmes bankave të spermës.

Sipas Annemette Arndal-Lauritzen, CEO e Bankës Europiane të Spermës, kjo e normalizoi dhurimin e spermës.

“Sot, më shumë se 1% e të gjithë fëmijëve të lindur në Danimarkë lindin me spermë donatore. Kjo është përqindja më e lartë e çdo vendi europian,” tha ajo për Euronews.

Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera europiane, legjislacioni danez i lejon bankat e spermës të bëjnë reklama duke pasur si target kryesorë burrat danezë.

Në këmbim të çdo dhurimi të spermës, donatorët marrin një pagesë dhe një abonim në palestër. Ky shpërblim financiar është veçanërisht i rëndësishëm për studentët. “Unë marr 40 euro për donacion dhe dhuroj rreth dy herë në javë. Për mua është goxha mirë: nuk kam nevojë për një punë të dytë dhe i ndihmoj të tjerët të kenë fëmijë,” tha një student për Euronews.

"Për shkak të numrit të lartë të aplikantëve, ne kemi shumë mundësi për të zgjedhur. Kjo siguron që ne mund të ofrojmë spermë me cilësi të lartë," tha Arndal-Lauritzen.

Megjithatë, bëhen teste të shumta shëndetësore dhe në fund, vetëm rreth 5% e aplikantëve miratohen si donatorë të spermës.