Ervina Kotolloshin të gjithë e kujtojnë si "Ponja" e "Portokallisë", e cila me talentin dhe personazhet e saj spikati që prej fillimit në spektaklin e humorit. Ndonëse në kulm të karrierës, ish-aktorja vendosi papritur të linte skenën dhe të largohej nga vendi.
Aktualisht ajo jeton në Paris, ku jep dhe mësim në një nga universitetet e kryeqytetit francez. Gjatë një interviste për "Abc-ja e mëngjesit", Ervina zbuloi arsyen shumë personale që në një mënyrë a një tjetër e detyroi të marrë vendimin për t'u larguar nga Shqipëria.
“Ishte një vendim që më është dashur kohë ta marr. E kam lënë për një ngjarje shumë personale të ndodhur në 2006. Nuk kam folur asnjëherë për këtë. Humba mamin në një aksident rrugor dhe personi që e aksidentoi nuk kishte patentë dhe kishte pirë alkool. Mamaja ka vuajtur dy muaj në spital para se të ndërronte jetë.
Në atë moment, kam kuptuar se ka pasur shumë institucione që në rastin tim, nuk kanë funksionuar siç duhet. Në radhë të parë ka qenë personi në fjalë që i ka dhënë makinës pa patentë dhe që nxitonte të kapte pjesën e dytë te ndeshjes sepse ishte Kampionati Botëror. E dyta, nuk ka funksionuar mjekësia. A duhej shpëtuar mamaja pas këtij aksidenti? Në Kodin Rrugor thuhet se nuk duhet ta lëvizësh kur është pa ndjenja. A duhej operuar disa herë? Nuk e di. Por ajo që më ka lënduar më shumë është gjykatësi. Kur e pyeta pse u dënua kaq pak, mu përgjigj se ‘mamaja juaj s’ka vdekur nga aksidenti’. Ishte e tmerrshme sepse mami kishte shëndet të plotë deri në ditën e aksidentit.”- u shpreh ajo.
Aktualisht, aktorja e humorit ka krijuar një familje të re në Francë dhe së fundmi është bërë nënë e një djali.
“Kam krijuar një familje këtu pas shumë vitesh. Për herë të parë kuptoj se çfarë domethënë se fëmija është drita e syve. Mendoja se kishte të bënte me shqisën, por mendoj se është drita që na jep në sy. Vetëm kur e provon se gjithë qenia jote sheh buzëqeshjen e një fëmije."- vazhdoi Ervina e cila nuk e përjashtoi mundësinë e një rikthimi në skenë nëse do të merrte propozimin e duhur.