TV Mania

Jemi pak konfuzë: "Dance Albania" është garë kërcimi apo ironie?

Shkruar nga Anabel

8 Nëntor 2022

Jemi pak konfuzë: "Dance Albania" është garë
KLAN TV

“Dance Albania”, që prej fillimit, është hasur me situata paaksa të sikletshme për konkurrentët, jurinë, domosdo edhe për Alketën.

Pista e kërcimit, përpos performancave, ka mbajtur edhe shumë pakënaqësi, vende-vende edhe zënka të vockla, pasiv-agresive dhe nëse nuk jeni përditësuar me lajmet, në TikTok shihni vetëm trendet e huaja, nuk uleni kurrë para TV, apo jetoni poshtë gurit, mos e vrisni mendjen. Ne jemi këtu për t'ju sjellë ngjarjet më pikante andej nga fronti i “Dance Albania”.

Gati? 

Nisim me Arta Nitaj, e cila u përball me një situatë të pakëndshme, kur Ermal Mamaqi i përmendi tematikën e Dubait, pas skandalit të “Dubai Porta Potty” dhe sigurisht, nga njerëzit u mor si një kunjë e papërshtatshme.

Jemi pak konfuzë: "Dance Albania" është garë
KLAN TV

Po ta rikujtojmë situatën:

Ermali tha se donte ta bënte edhe ai trupin si Arta Nitaj, këtu ndërhyri Alketa, që i tha “Duhet të shkosh në Brazil”. Ermali ia priti: “Në Brazil apo në Dubai?”. Arta këtë situatë e kaloi me një buzëqeshje plot siklet, javë më vonë iu rikthye “debatit”, duke thënë se nuk e vret aq shumë mendjen për shakanë e Mamaqit.

Por, Arta pati edhe një tjetër pakënaqësi në “Dance Albania”. Kur rrugëtimi i saj mbaroi, për Artën nuk mbaruan hatërmbetjet.

Ajo u shpreh e zhgënjyer nga eliminimi, pasi sipas saj, konkurrentët e tjerë kanë pasur më shumë mundësi.

Jemi pak konfuzë: "Dance Albania" është garë
KLAN TV

Nëse e harruat “Big Brother VIP”, sherri mes Iglit dhe Ilirit ju riktheu pas, sepse debati i tyre plot kunja la studion e “Klanit” dhe ironia e tyre e ftohtë na futi drithërimat edhe neve nga ekrani.

Jemi pak konfuzë: "Dance Albania" është garë
KLAN TV

Pastaj, ishte rasti i Kastro Zizos, i cili sqaroi një koment sërish nga komentet e pamenduara të Ermalit. Kastro iu referua një reagimi që u konsiderua si ironi.

Kastro mori një video surprizë nga i biri, Dankan dhe në një moment, Ermali tha: “E njohim të gjithë jetën e mrekullueshme të Kastros”.

Në ato momente, Kastro ishte i zënë duke shijuar surprizën nga i biri, por kjo nuk do të thotë se nuk i mbeti peng komenti. Një javë më vonë, Kastro iu rikthye diskutimit, duke theksuar se komenti i Ermalit u duk si ironi dhe se jeta e tij ka qenë e rrethuar me dashuri, para dhe pas alkoolit.

Kastro pati edhe një “përplasje” me Klaudia Pepën, e cila i vuri në dukje se ai nuk e sheh në sy kur ajo jep gjykimin e saj. Këngëtari u justifikua se nuk i dëgjon shumë mirë fjalët dhe ia vuri fajin fonisë.

Dhe, nga debatet e Kastros, kalojmë te Melisa Lleshi. Ish-konkurrentja e “Për’Puthen” është bërë prè e kritikave dhe komenteve të pahijshme.

Jemi pak konfuzë: "Dance Albania" është garë
KLAN TV

Siç mund ta prisni, Ermali sërish. Ai e krahasoi kërcimin e saj si “balet kamasutra” (?).

Më pas, kundrejt Melisës pati edhe reagime dhe pyetje nga konkurrentët e tjerë.

Adelina Tahiri i shtroi pyetjen nëse Melisa ka qenë në shkollë baleti. Të njëjtën “akuzë” e ka vijuar edhe Visjan Ukcenaj, i cili i tha Melisës “pse bën si amatore kot”.

Ecim me Melisën e cila me të drejtë, u përball me Klaudia Pepën. Balerina pa takt, tha se “nuk e njihte” Melisën. Ajo tha se ndihet sikur juria do ta ulë figurën e saj dhe se Klaudia mund ta kishte kursyer komentin e dhënë. Klaudia u shpreh se nuk e njihte Melisën.

"Mund ta kursente atë koment” tha konkurrentja dhe po ta mendosh, mirë e ka…

Jemi pak konfuzë: "Dance Albania" është garë
KLAN TV

Stafetën e zënkave ia pasojmë Visjanit, i cili ka pasur disa përplasje në fakt.

Që kur hyri, Visjani mprehu shpatën dhe tha se nuk është në “Dance Albania” për të bërë humor, por për të kërcyer.

Hmm, është “Klanifornia”, për humor. Neejseee.

Një sherr e bëri me Klaudian, të cilës i është drejtuar dhe italisht, duke thënë se ndoshta Klaudia s’e merrte vesh shqip, ndaj e vlerësonte me pikë të ulëta. Balerina u kundërpërgjigj duke thënë se fliste gjithnjë shqip dhe se mos ndoshta Visjani e ngatërronte me imitimet që i bëjnë nëpër spektaklet e humorit.

Pastaj, Visjani hodhi një kunjë si në ajër kundrejt produksionit, duke thënë se po bëhet një intrigë, e ngjashme me një serial.

E fundit? Përplasja me tone të larta me Ilir Shaqirin, e cili sipas Visjanit kishte 2 javë që përsëriste të njëjtat fjalë ndaj tij. Iliri u shpreh se gjykimi i tij varet nga performanca e aktorit.

Debati u përshkallëzua me lojën e fjalëve mes “klon” dhe “klloun”, secili duke iu referuar mendimit të vet. Visjani tha se ndoshta Iliri është klonuar, ndaj përsërit të njëjtin gjykim, më pas u munduan të gjenin se kush është kllouni.

Sipas gjasave, të tilla komente dhe konflikte do të vijojnë dhe në njëfarë pike do të jetë e paqartë nëse “Dance Albania” është një garë kërcimi, apo ironie.

Por, siç ka thënë edhe Alketa, i fusim një tra la la me Frank Sinatra-n dhe të mos e vrasim mendjen fare.

Shënim: Artikulli shpreh pikëpamjet dhe komentet personale të redaktores kontribuese A.Shehu, që nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjen e redaksisë.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.