
“Hamburger Bahnhof”, galeria kombëtare e artit bashkëkohor në Berlin, bëri me dije se do të fikte dritat e neonit, të cilat nuk janë fikur që prej 2 nëntorit 1996, kur galeria u themelua dhe në të u shfaq instalacioni i Dan Flavin, i emëruar “Untitled”. Që prej asaj kohe, instalacioni qëndron në fasadën e galerisë, por kriza energjitike e ndryshoi këtë.

Dritat e neonit janë identifikuese, pasi formojnë një kornizë në formë harku në ngjyrë blu dhe pjesa e brendshme ndriçohet nga ngjyra e gjelbër. Kjo do të vijojë deri në fund të marsit.
Till Fellrath, bashkëdrejtori i “Hamburger Bahnhof” tha se përmes këtij veprimi shërbejnë si shembull, si dhe kontribuojnë në situatën aktuale, ku Europa po përjeton një krizë të thellë energjitike.
“Është e rëndësishme që ne, si një muze i njohur ndërkombëtarisht, të japim një shembull në situatën aktuale dhe të japim kontributin tonë në kursimin e energjisë”, u shpreh ai.
Pasojat e ndërprerjes së furnizimeve me gaz nga Rusia, si rrjedhojë e luftës në Ukrainë e kanë detyruar Gjermaninë të ndërmarrë masa të ndryshme dhe urgjente për të përballuar dimrin e acartë që pritet të mbërrijë në vend.