
Rusia planifikon “luftën më të madhe në Europë që nga viti 1945”, thotë Boris Johnson

Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se provat sugjerojnë se Rusia po planifikon "luftën më të madhe në Europë që nga viti 1945" në një intervistë me BBC nga konferenca e sigurisë në Mynih.
Kryeministri tha se presidenti amerikan Joe Biden u kishte thënë udhëheqësve perëndimorë se inteligjenca amerikane sugjeroi se forcat ruse synojnë të nisin një pushtim që do të rrethojë kryeqytetin ukrainas, Kiev. Sipas Johnson, trupat ruse nuk po planifikonin vetëm të hynin në Ukrainë nga lindja, nëpërmjet Donbasit, por nga Bjellorusia dhe zona përreth Kievit.
“Kam frikë të them se plani që po shohim është për diçka që mund të jetë me të vërtetë lufta më e madhe në Europë që nga viti 1945 vetëm në aspektin e shkallës së madhe,” tha ai.
Stuhia Eunice: Të paktën 16 të vdekur pasi stuhia përfshiu Europën veriore

Pjesa më e madhe e Europës veriperëndimore po numëron koston e stuhisë Eunice të dielën, pasi ajo përfshiu kontinentin nga Ishujt Britanikë, duke lënë vdekje dhe shkatërrim si pasojë e ndërprerjeve masive të energjisë elektrike.
Të shtunën në mbrëmje, 16 njerëz u raportuan të vdekur për shkak të stuhisë: katër në Holandë, katër në Poloni, tre në Angli, dy në Gjermani, dy në Belgjikë dhe një në Irlandë. Shumë prej tyre janë shkaktuar nga rënia e pemëve mbi automjete.
Një nga kriminelët më të kërkuar në Europë, i quajtur si “prerësi i gishtave”, është arrestuar në Zvicër.

Policia e Zyrihut njoftoi se arrestoi një belg 35-vjeçar, i cili ishte vënë nën radarin e tyre "për falsifikim dokumentesh" dhe kishte një urdhër arresti ndërkombëtar kundër tij.
Flor Bressers ishte në kërkim nga autoritetet belge që nga maji 2021. Ai ishte dënuar një vit më parë nga Gjykata e Apelit të Antwerpen me katër vjet burg për akuza përfshirë rrëmbim, marrje pengje, grabitje të armatosura, trafik droge në grup dhe vjedhje. Mediat belge i kishin vënë atij disa pseudonime, duke përfshirë "prerësin e gishtave", sepse mendohet se i ka prerë gishtat një trafikante droge si ndëshkim.
Udhëheqësit afrikanë po i bëjnë presion BE-së për t'i ndihmuar në luftën kundër Covid-19

Samiti midis Bashkimit Europian dhe Bashkimit Afrikan pas dy ditësh diskutimesh intensive tentoi të forcojë partneritetin midis të dy organizatave në disa fusha. Por dallimet kryesore mbeten kur bëhet fjalë për trajtimin e një prej çështjeve më urgjente në botë. Me vetëm 11% të popullsisë së saj të vaksinuar plotësisht kundër Covid-19, Afrika ka mbetur prapa në luftën kundër pandemisë.
Udhëheqësit afrikanë kanë akuzuar europianët për grumbullimin e dozave të vaksinave. “Ne po flasim për jetën e miliona, qindra miliona njerëzve, sesa për përfitimin e disa kompanive. Nuk është e pranueshme që Afrika të jetë vazhdimisht në fund të radhës, në lidhje me aksesin në ilaçe,” u theksua në samit.