Shtatzania

Tatuazhet dhe shtatzënia: A mund ta bëni një të tillë?

Shkruar nga Anabel

8 Korrik 2022

Tatuazhet dhe shtatzënia: A mund ta bëni një të tillë?

Nëse je shtatzënë, sigurisht që je familjare me gjithçka që s'të lejohet dhe gjithë rregullat që duhet të ndjekësh për të paktën 9 muaj me radhë. Jo alkool, jo sushi, jo lyerje flokësh, shmangie e retinolit, një kafe në ditë, etj, etj. Po ç'thuhet për tatuazhet? A mund të bëhet një i tillë gjatë shtatzënisë si simbol që do të të kujtojë përgjithmonë çastet nga pritja e ëmbël?

Nëse e gjeni veten mes kësaj dileme dhe dëshirës së çmendur për një tatoo, merrni ca përgjigje tani.

A mund të bësh një tatuazh gjatë shtatzënisë?

Nuk ka asnjë përgjigje 100% të prerë që është e shkruar diku, por ekspertët janë në një mendje dhe jo! Nuk është koha ideale për të bërë tatoo kur je duke pritur një bebe. Pse? Sipas tyre është goxha e rrezikshme për shkak se gjatë këtyre muajve, imuniteti i gjithë funksioneve të trupit bie dhe njëkohësisht ekziston rreziku i shtuar për të marrë infeksione. Edhe pse të rralla, dihet që injeksionet e tatuazheve ndonjëherë bëhen shkak për ngjitjen e Hepatitit B dhe HIV. Thënë këtë, gjëja e fundit që doni është ta provoni këtë në kushte kaq delikate. 

Përtej kësaj, një arsye tjetër që duhet marrë parasysh është dhimbja- për më tepër nëse është tatuazhi juaj i parë. Intensiteti i dhimbjes varet edhe nga vendi ku do të zgjidhni ta bëni tatuazhin, por gjatë pritjes së ëmbël nuk do të donit siklete të shtuara!

Po nëse jeni në fillimet e shtatzënisë, a mund të bëni një tatoo?

Për sigurinë tuaj, sërish jo! Sado të vogël po mendoni ta bëni tatuazhin, nuk rekomandohet të ndërhyni në trup gjatë gjithë kësaj periudhe, por në veçanti në 12 javët e para kur fetusit po i formohen organet. 

Gjithsesi, nëse dëshira juaj për të bërë tatoo i tejkalon arsyet e renditura, bëni një takim me gjinekologun dhe merrni parasysh këshillat e tij.

Burimi: Cosmopolitan

MOS I HUMBISNI