
Kevin Spacey ka thënë se është i bindur se mund të provojë pafajësinë, pasi ndaj tij u zyrtarizuan katër akuza për sulm seksual ndaj tre burrave.
Shërbimi i Prokurorisë, CPS, njoftoi akuzat më 26 maj pas një hetimi nga policia Metropolitane, megjithëse aktori nuk mund të akuzohet zyrtarisht derisa të kthehet në Britani.
Sulmet e supozuara thuhet se kanë ndodhur në Londër dhe Gloucestershire midis viteve 2005 dhe 2013, ndërsa Spacey punonte si drejtor artistik i teatrit Old Vic në Londër.
Në vazhdën e njoftimit të CPS, një zyrtar i njohur me procesi tha për Guardian se Mbretëria e Bashkuar do të kërkonte ekstradimin zyrtar të Spacey nëse ai nuk kthehej vullnetarisht, por aktori ka konfirmuar se ka në plan të "paraqitet vullnetarisht" në gjykatat britanike.
Në një deklaratë për Good Morning America dhënë përmes një zëdhënësi, 62-vjeçari komentoi:
"Unë e vlerësoj shumë deklaratën e Shërbimit të Prokurorisë, në të cilën ata i kujtuan me kujdes mediave dhe publikut se kam të drejtën për një gjykim të drejtë, dhe se jam i pafajshëm derisa të vërtetohet e kundërta. Ndërsa jam i zhgënjyer me vendimin e tyre për të ecur përpara, do të paraqitem vullnetarisht në Britaninë e Madhe sa më shpejt që të jetë e mundur dhe do të mbrohem kundër këtyre akuzave, të cilat jam i bindur se do të provojnë pafajësinë time”.
Rosemary Ainslie, kreu i Divizionit Special të Krimit të CPS, tha se vendimi për të zyrtarizuar akuzat kundër Spacey-t doli nga "provat e mbledhura nga Policia Metropolitane".
Spacey ka mohuar të gjitha akuzat, megjithëse këto nuk janë akuzat e para për sjellje të pahijshme seksuale me të cilat ai është përballur.
Burimi: Unilad