Ka disa lajme që nuk kalojnë dot filtrin tonë editorial - jo se janë skandaloze, jo se s’kanë pak “lëng”, por se... le ta themi troç: nuk na bindin mjaftueshëm për t’i marrë seriozisht. Na falni shumë për mungesën e modestisë, por që…
Por ja që jetojmë në një botë ku dikush ka parë dikë me dikë, dikush ka bërë “unfollow" dhe dikush tjetër ka postuar një citat pasivo-agresiv. Dhe njerëzit duan ta dinë.
“Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet” është vendi ku i lëmë të gjitha këto copëza - gjysmë të rëndësishme, gjysmë “për muhabet”, ndonjë thashethem që s’e kemi konfirmuar dot (po as e kemi marrë mundimin ta konfirmojmë) dhe disa detaje që ndoshta janë thjesht fryt i imagjinatës kolektive të rrjeteve sociale.
Këtu mund të gjeni gjithçka: nga “çfarë kanë thënë” te “mos e merr për të sigurt”, e deri te “hë, po këtë pse e lexova?”. Nuk janë lajme që do t’ju ndryshojnë ditën. Janë më shumë si ato reels-at që i sheh pa zë, pa dëshirë...por gjithsesi i sheh.
Nejse, le të shkruajmë për arsyen pse keni klikuar!
“Post BBVA 4” – veç kunja e debate
Kunjat e debatet e dominuan “Post BBVA 4”, ku po përmendim atë trekëndëshin mes Rozanës, Gertës dhe Laertit. Gerta, në mes të debatit, i tha se “e kuptoi se ishte me Gjestin në momentin që Jozi e goditi dhe Laerti dhe Rozi qëndruan si statuja”.
“Unë i qëndrova pranë”, u shpreh Gerta dhe le t’i japim një biskotë, se çmimin dhe Range Rover-in s’i mori dot.
“Më ndjek, s’më ndjek”
Dëgjoni e mbani vesh! Egli paskërka hequr nga Instagram-i Blerinën, motrën e Gjestit, ndërsa kjo e fundit as s’e kishte follow fare në radhë të parë.
“Profili im menaxhohet edhe nga njerëz të tjerë që merren me rrjetet sociale. Është bërë ‘unfollow’ automatikisht për ata që nuk më kishin ndjekur më parë”, tha Egli kur u pyet në “Post BBVA 4” pse e kishte hequr Blerinën nga lista e ndjekësve dhe më tej, pranoi se Blerina s’e ndiqte Eglin. Megjithatë, Egli s’dha ndonjë shpjegim se nuk mund të fliste pa palën tjetër prezente.
Bledi Mane është paksa lepurush, sipas Xhenetës
Po po, në “Trotuar”, Bledi Mane dhe Xheneta Fetahu u përplasën dhe kjo e fundit u çua dhe u largua nga studio (jo, jo, s’na mungoi). Bledi Mane, i cili as nuk e ndan dot shapin (shakanë) nga sheqeri (teprimi), e pyeti Xhenetën se ku kishte fjetur një mbrëmje më parë, kur ish-banorja e “BBVK” i kërkoi të mos e tepronte. Më tej, Bledi tha se ndoshta ajo është mësuar me lepurushat e Prishtinës (mbase kunjë për Gjestin), kur Xheneta ia priti: “Ti je edhe më lepurush se ata!”.
*Mic drop*
Gjesti s’e njeh më Xhenetën
Hah, tipike! Gjesti, i ftuar në “Portokalli”, u pyet nëse ka marrë një urim për fitoren e “BBVA 4” nga Xheneta, por Gjesti duket se pas fitores e ka humbur kujtesën.
“Kush është kjo?”, pyeti Gjesti, a thua se nuk ka derdhur shumë herë lot për Xhenetën brenda “BBVK”. Nejse, se jeta vazhdon dhe mirë është që ish-at të harrohen.
Tiri dhe Tira (më falni, Krisa) mendojnë se ca fansa të “BBVA 4” duhen studiuar!
Tiri dhe Krisa, të ftuar në “Natën me Aulonën”, folën mes të tjerash për një dukuri që s’i japin dot shpjegim dhe kërkojnë që të mblidhen të gjitha universitetet dhe studiuesit në botë, të lënë pas studimet për kurën kundër kancerit, diabetit, HIV AIDS, demencën etj dhe të merren me çështjen e fansave të “BBVA 4”.
“Mendoj që rasti i fansave të Big Brother është rast për t’u studiuar. Është shumë e çuditshme se si arrijnë të krijojnë një lidhje emocionale me disa banorë, përtej çdo logjike. Edhe kur faktet janë të qarta, ata nuk i pranojnë. Kjo është një sjellje vërtet interesante për analizim,” tha Tiri dhe dikush duhet ta dëgjojë patjetër.
Arbri do dalë për kafe me ca ish-banorë të “BBVA 4”
Nëse mendonit se si e shtyn ditën Arbër Hajdari, na lejoni t’ju tregojmë: Del për kafe me ish-konkurrentët e “BBVA”. Rishtazi, në intervistën e tij në “Ftesë në 5”, Arbri tregoi se ka folur me Gerta Gixharin dhe kanë rënë dakord që të dalin për një kafe bashkë me ca ish-banorë të tjerë.
Madje-madje, tha edhe sa ka marrëdhënie shumë të mira edhe me ish-banorë të tjerë nga tre edicionet e kaluara. Kush do e paguajë kafenë? A do jetë Rozi? Po Neda? A ka më Rozi patentë? A duhet të ruhet Neda? Sa shumë pyetje nga tek intervistë…
Arbri paska edhe 2 opinioniste të preferuara!
Kush? Arbri, Arbri, zgjodhi se me cilat opioniste ka pasur raport më të mirë.
Me kë? Me Zhaklinën dhe Nedën.
Ja kaq! 2 emra! Të shohim tani kë do ketë në krahë në “BBVA 5”.
Xuxi mendon se Gjesti e ka merituar fitoren
Xuxi, i cili ka ndarë shtëpinë me Gjestin në “BBVK”, tregoi në emisionin e Robert Berishës (“Robi plaket kur don vet”) se Gjesti e ka merituar fitoren, se ka prindër të mirë, është i ri në moshë dhe se e ka ditur gjithnjë potencialin e tij.
“Jam gëzuar shumë sinqerisht. Nuk kishte pengesa jashtë, prindërit i ka mirë, është njeri i përkushtuar dhe shumë inteligjent – e ka ndërtuar lojën me kujdes”, tha ndër të tjera Xuxi, sepse dihet, pas luftës, të gjithë janë trima.
Jasir Asani është single?
Si nuk gjetëm një herë rehat! Kontrolluam që thoni ju nëpër Instagram-in e Jasir Asanit dhe pamë se nuk kishte më foto me partneren e tij, Giota-n. Pamë edhe te lista e ndjekësve dhe hiç. Kështu, dolëm në konkluzionin se mund të jenë ndarë, ose thjesht s’duan ta kenë njëri-tjetrin në Instagram.
Rozi edhe u mërzit që s’fitoi, por edhe fitoren ia uron Gjestit
Rozana Radi foli në “Top Albania Radio” dhe tha me plot gojë: “Unë u mërzita që nuk e fitova, por e kam thënë se kush e fiton, është mëse e merituar. Ai (Gjesti) ta gëzojë, t’i shkojë mbarë dhe t’i shërbejë si një trampolinë në karrierë”.
Pastaj, duke menduar se po fliste me Gertën, tha se e para është shprehur se Gjesti është lezeti i shtëpisë dhe se veç Rozi e paskërka dashur Gjestin. *Hyn Egli me nerva/ Muzikë dueli në sfond*
“Ata nuk e kanë dashur Gjestin. Po ta donin, do ta kishin thënë. Ajo që ka thënë se ai është lezet i shtëpisë, jam unë,” – tha ajo.