Shtatzania

Lindi fëmijën, pa e ditur që ishte shtatzënë: Ç’duhet të dini për shtatzëninë e fshehtë

Shkruar nga Anabel

19 Prill 2022

Lindi fëmijën, pa e ditur që ishte shtatzënë:

Rasti i një 20-vjeçareje që shkoi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për dhimbjet e barkut dhe rezultoi të lindte fëmijën në tualet, pa e ditur që ishte shtatzënë, ishte befasues për shumë njerëz. Megjithatë, sado të rralla, rastet e këtyre shtatzënive nuk janë të pamundura.

Çfarë është?

Një shtatzëni kriptike, e njohur gjithashtu si shtatzëni e fshehtë, është një shtatzëni të cilën metodat tradicionale të testimit mjekësor mund të dështojnë që ta zbulojnë. Shtatzënitë e fshehta nuk janë të zakonshme, por ato nuk janë as të padëgjuara.

Pra, është një shtatzëni në të cilën një grua nuk është e vetëdijshme se ajo pret një fëmijë deri në gjysmë të shtatzënisë, apo edhe deri në dhimbjet e lindjes ose deri në lindje. Hulumtimet tregojnë se deri në 1 në 475 shtatzëni zhvillohen të pazbuluara ose pa u vënë re deri në 20 javë (pesë muaj). 1 në 2500 nuk dallohen derisa gruaja lind fëmijën.

A ka shenja?

Shtatzënia e fshehtë mund të mos ketë simptomat tipike të shtatzënisë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka fare shenja. Megjithatë ato nuk janë të qartë dhe mund të anashkalohen lehtësisht duke besuar se shkaktohen nga diçka tjetër.

Nga se shkaktohet?

Ka disa shkaqe të mundshme të një shtatzënie të fshehtë. Gruaja mund të mos ketë simptomat e zakonshme të shtatzënisë, ose testi i shtatzënive mund të rezultojë negativ. Gratë me probleme të shëndetit mendor gjithashtu mund të mos e kuptojnë se janë shtatzënë ose ta mohojnë. Ekspertët mendojnë se disa shkaqe mund të kontribuojnë në shtatzëninë e fshehtë:

1. Mungesa e simptomave të shtatzënisë: Simptomat e zakonshme të shtatzënisë si të përzierat, ngërçet e legenit, dhimbja e shpinës dhe rritja e barkut janë të ndryshme për çdo grua dhe mund të mos jenë të dukshme.

2. Cikli menstrual i parregullt: Periodat e parregullta mund ta bëjnë të vështirë që ta dini se kur jeni shtatzënë. Për dikë që nuk ka shumë perioda në vit, mund të mos e dijë se kur është shtatzënë.

3. Problemet e moshës dhe fertilitetit: Simptomat e shtatzënisë ndonjëherë mund të jenë të ngjashme me simptomat e hershme të menopauzës. Nëse keni patur probleme me fertilitetin në të kaluarën, mund ta keni të vështirë të besoni se mund të mbeteni shtatzënë.

4. Rezultatet e pasakta të testit të shtatzënisë: Testet e shtatzënisë mund të kenë rezultate të pasakta dhe të rezultojnë negativë, ndërkohë që një grua është shtatzënë.

5. Nuk vihet re rritja e barkut: Për një grua që është mbipeshë ose e kolme, rritja e barkut mund të mos jetë e dukshme. Disa gra mund të mos shtojnë shumë peshë.

6. Mungesa e ndjesisë së rritjes së fetusit: Vendndodhja e fetusit dhe placentës ndonjëherë mund ta bëjnë të vështirë të ndjeni lëvizjen e foshnjës.

7. Sindroma e vezores policistike: Kjo sindromë mund të shkaktojë çekuilibrime hormonale që largojnë ovulimin. Kjo mund të shkaktojë në një shtatzëni të papritur që mund të kalojë pa u vënë re.

8. Përdorimi i kontraceptivëve: Përdorimi i kontraceptivëve nuk është gjithmonë i pagabueshëm. Edhe kur përdoren siç duhet, është e mundur të mbeteni shtatzënë. Gratë që marrin kontraceptivë mund të mendojnë se nuk janë shtatzënë dhe të injorojnë simptomat e shtatzënisë.

9. Shtatzënia e fundit: Edhe nëse sapo keni lindur një fëmijë, është e mundur që ovulimi të ndodhë më shpejt nga sa mendoni. Shenjat e hershme të shtatzënisë mund të mos jenë aq të qarta për një grua që ka lindur kohët e fundit.

10. Çrregullimet mendore: Disa hulumtime kanë vënë në dukje se gratë me çrregullime të caktuara të shëndetit mendor mund ta kenë të vështirë të pranojnë realitetin e shtatzënisë, ose ta mohojnë atë.

A është e rrezikshme?

Kur një grua nuk e di se është shtatzënë, ajo nuk merr kujdesin mjekësor prenatal që është i rëndësishëm për një shtatzëni të shëndetshme. Hulumtimet sugjerojnë se foshnjat e lindura nga një shtatzëni e fshehtë mund të kenë më shumë gjasa të jenë nënpeshë dhe të lindin para kohe.

Shtojmë gjithashtu edhe aktivitetet e rrezikshme, përfshirë këtu substancat si alkooli, duhani dhe droga. Përpos tyre, nëse shtatzënia e e fshehtë zgjat deri në momentet e lindjes, gruaja mund të mos e kuptojë që është shtatzënë dhe mund t’i duhet të lindë foshnjën pa asnjë ndihmë.

Pra...

Mund të jetë e vështirë të imagjinohet se si dikush mund të mos dallojë shenjat e shtatzënisë, por shtatzënia e fshehtë ndodh me të vërtetë. Nëse jeni seksualisht aktivë dhe përjetoni ndonjë simptomë të pashpjegueshme që zakonisht ndodh edhe gjatë shtatzënisë, është mirë të bëni një test shtatzënie dhe të konsultoheni me mjekët.

Burimet ndihmëse: Healthline, Very Well Health

MOS I HUMBISNI