I bazuar te komedia “Boeing-Boeing”, filmi “Dashuri dhe Turbulenca” do të shfaqet në kinema nga data 7 prill.
“Boeing-Boeing”, shkruar nga dramaturgu francez Marc Camoletti, është një ndër shfaqjet më të kërkuara në Shqipëri, biletat e të cilës shiten në kohë rekord. Sipas të dhënave, “Boeing-Boeing” dhe “Pallati 176” janë dy shfaqjet më të suksesshme pas viteve ’90 referuar herëve që janë vënë në skenë dhe interesit të publikut.
E ftuar në “Goca & Gra”, aktorja Rudina Dembacaj u shpreh se filmi “Dashuri dhe Turbulenca” është bazuar te komedia “Boeing-Boeing”, e cila në vitin 1991 u rendit në Librin e Rekordeve Guinness si shfaqja franceze më e interpretuar në botë. Skenari në film është përshtatur nga Gentian Zenelaj.
Një prodhim i Papadhimitri Production, filmi ka në qendër jetën e Bernardit (Amos Muji Zaharia), i cili është i fejuar me tri stjuardesa (Alesia Xhemalaj, Olimpia Smajlaj dhe Sara Kolami), të cilat nuk e dinë ekzistencën e njëra-tjetrës. Gjithë konflikti dhe humori ndërtohet në momentin kur shfaqet shoku i vjetër i Bernardit (Gentian Zenelaj), që së bashku me shërbëtoren e shtëpisë (Rudina Dembacaj) përfshihen në një situatë të komplikuar, pasi të treja të fejuarat ndodhen në qytet, njëkohësisht. (Emrat e personazheve i referohen shfaqjes; nuk dihet nëse do të jenë të njëjtët edhe në film).
View this post on Instagram