
Koreja e Veriut pranon shpërthimin e Covid për herë të parë dhe shpall "urgjencë të rëndë kombëtare"

Koreja e Veriut ka shpallur një "urgjencë të rëndë kombëtare" pasi konfirmoi shpërthimin e parë të Covid-19, duke bërë që lideri i saj, Kim Jong-un, të zotohet të eliminojë shpejt virusin.
Media shtetërore raportoi se një nënvariant i virusit shumë i transmetueshëm, Omicron, i njohur si BA.2, ishte zbuluar në kryeqytet, Pyongyang. Koreja e Veriut ka pretenduar se nuk kishte regjistruar asnjë rast të vetëm të Covid-19 që kur mbylli kufijtë në fillim të pandemisë më shumë se dy vjet më parë.
Zbulimi i variantit Omicron paraqet një rrezik potencialisht serioz për Korenë e Veriut, e cila nuk ka vaksinuar asnjë nga 25 milionë njerëzit e saj, sipas ekspertëve dhe sistemi i saj i kujdesit shëndetësor mund ta ketë të pamundur të përballojë një shpërtim të madh të virusit.
SHBA kalon 1 milion vdekje nga mbidoza që nga fillimi i regjistrimeve

SHBA tani ka kaluar 1 milion vdekje nga mbidoza që kur Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) filloi të mbledhë të dhëna rreth dy dekada më parë. Në vitin 2021 pati një rritje të vdekjeve me 15%. Rritja e vdekjeve në vitin 2021 u nxit kryesisht nga fentanili, një opioid sintetik shumë i rrezikshëm që përbënte rreth 70% të vdekjeve.
Lufta çon në rritje të transfertave të parave në Ukrainë

Lufta në Ukrainë po nxit një rritje të transfertave të parave pasi punëtorët migrantë dhe refugjatët që ikin nga konflikti përpiqen të dërgojnë mbështetje financiare për familjet e tyre.
Banka Botërore tha se remitancat në Ukrainë nga vendet e tjera pritej të rriteshin me më shumë se 20% këtë vit, të nxitura nga ukrainasit jashtë vendit duke transferuar fonde te miqtë dhe familjarët që përballen me ndikimin e rëndë ekonomik të pushtimit rus.
Remitancat janë pagesa të dërguara nga një person te tjetri në një vend tjetër, zakonisht nga punëtorët migrantë që dërgojnë para te familjet e tyre.
Finlanda pritet të shpallë kërkesën për t'u bashkuar me NATO-n

Finlanda pritet të shpallë sot kërkesën për t'u bashkuar me NATO-n, ndërkohë që Suedia që ka të ngjarë ndjekë shembullin e saj së shpejti, kanë thënë diplomatë dhe zyrtarë. Pushtimi i Ukrainës riformëson sigurinë europiane dhe aleancën ushtarake Atlantike.
Aleatët e NATO-s presin që Finlandës dhe Suedisë t'u jepet anëtarësimi shpejt, thanë për Reuters pesë diplomatë dhe zyrtarë.
Në rajonin më të gjerë nordik, Norvegjia, Danimarka dhe tre shtetet baltike janë tashmë anëtarë të NATO-s dhe shtimi i Finlandës dhe Suedisë ndoshta do të zemërojë Moskën, e cila thotë se zgjerimi i NATO-s është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e saj.
Ndërron jetë gazetarja e Al Jazeera duke raportuar për sulmin e Izraelit

Një gazetare e Al Jazeera u qëllua dhe u vra teksa mbulonte një bastisje izraelite në qytetin e pushtuar të Jeninit në Bregun Perëndimor. Shireen Abu Akleh, një gazetare e njohur palestineze për median në gjuhën arabe, vdiq menjëherë. Ali Samoudi, një tjetër gazetar palestinez, u shtrua në spital në gjendje të qëndrueshme pasi u qëllua në shpinë.
Transmetuesi fajësoi forcat izraelite, por kryeministri izraelit Naftali Bennett tha se ajo ishte vrarë "me siguri" nga të shtënat palestineze.
Rrjeti Al Jazeera me bazë në Katar ndërpreu transmetimin për të njoftuar vdekjen e saj. Në një deklaratë, Al Jazeera i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që "të dënojë dhe të bëjë përgjegjës forcat pushtuese izraelite për shënjestrimin dhe vrasjen e qëllimshme të koleges sonë.”
Burimet: Guardian, Reuters, Euronews