High Tech

Pse OnlyFans, që fitoi famë dhe para nga pornografia, do të ndalojë pornografinë

Shkruar nga Anabel

21 Gusht 2021

Pse OnlyFans, që fitoi famë dhe para nga pornografia, do të

OnlyFans, platforma që funksionon me abonim (subscriber-only) dhe shpeshherë konsiderohet si sinonim i pornografisë, ka njoftuar se do të bllokojë materialet për të rritur, pas presionit nga kompanitë e përpunimit të pagesave.

Kompania do të vazhdojë të lejojë disa postime që përmbajnë lakuriqësi, por "çdo përmbajtje që përmban sjellje eksplicite seksuale" do të ndalohet dhe krijuesit mund të përqendrohen në më shumë përmbajtje të zakonshme.

OnlyFans fitoi miliarda dollarë pasi më shumë se 130 milionë përdorues u regjistruan gjatë kohës kur shumë vende ishin në karantinë. Edhe pse OnlyFans këmbëngul se ka një gamë të gjerë njerëzish që krijojnë materiale për faqen, duke filluar nga kuzhinierët e deri tek instruktorët e jogës, përmbajtja më e popullarizuar në këtë faqe është pornografia.

OnlyFans tha se rregulli i ri, i cili do të hyjë në fuqi në tetor, erdhi si pasojë e presionit nga bankat dhe përpunuesit e pagesave të cilët ngritën shqetësime në lidhje me materialin në platformë. Në vend që të humbasë mundësinë për të marrë pagesa, gjë që do të shkatërronte biznesin, OnlyFans zgjodhi të ndalojë materialin për të rritur që i siguroi para dhe famë.

"Për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjate të platformës dhe për të vazhduar të kemi një komunitet gjithëpërfshirës të krijuesve dhe fansave, ne duhet të zhvillojmë udhëzimet tona të përmbajtjes," tha një zëdhënës i faqes.

Kompanitë e përpunimit të pagesave gjithnjë e më shumë kontrollojnë se cilat faqe pornografike janë në gjendje të transmetojnë materiale. Dhjetorin e kaluar, Visa dhe Mastercard ndaluan shkurtimisht pagesat për faqet e internetit në pronësi të gjigantit të pornografisë në internet MindGeek, pas raporteve që kishte "pornografi hakmarrëse" të ngarkuar pa pëlqimin e njerëzve të përfshirë. Bizneset financiare u tërhoqën vetëm kur MindGeek fshiu dhjetëra miliona video të paverifikuara nga faqe të tilla si PornHub.

OnlyFans u ka mundësuar dhjetëra mijëra punonjësve të seksit të fitojnë të ardhura të konsiderueshme në këmbim të dorëzimit të 20% të fitimeve të tyre në kompani. Shifrat e brendshme të marra nga Axios sugjerojnë se rreth 16,000 krijues fitojnë të paktën 50,000 dollarë në vit.

Megjithatë, OnlyFans gjithashtu është përballur me një kontroll politik dhe rregullator mbi aftësinë për të hequr materiale të paligjshme dhe shfrytëzuese. Në fillim të këtij muaji më shumë se 100 kongresmenë dhe gra amerikane kërkuan një hetim për OnlyFans, në lidhje me praninë e pretenduar të të miturve.

Çështje të tilla kanë trembur investitorët potencialë në kompani dhe e kanë shtyrë OnlyFans drejt kërkimit të një modeli biznesi më të zakonshëm, duke hequr punonjësit e seksit që ndërtuan audiencën e platformës.

Shumë rrjete sociale janë distancuar gjithnjë e më shumë nga materiali për të rritur. Në vitin 2018 u ndalua nga Tumblr, ndërsa Facebook dhe Instagram gjithashtu kanë ndalime për përmbajtje eksplicite. Twitter është një nga pak platforma kryesore të rrjeteve sociale që vazhdon të lejojë pornografi.

Burimet: Guardian, Bloomberg