Art & Libra

‘Testamentet’ nga Margaret Atwood: Një libër për ankthet e epokës ku po jetojmë

Shkruar nga Anabel

22 Korrik 2021

‘Testamentet’ nga Margaret Atwood: Një libër për

“I dashur lexues, kohës sonë së bashku po i vjen fundi. Me gjasë, këto faqe të miat do t’i shohësh si një peshtaf i brishtë thesaresh, që duhet hapur me kujdesin më të madh. Me gjasë, do t’i grisësh a t’i djegësh: fjalëve u ndodh shpesh kjo.” – fragment nga “Testamentet”, Margaret Atwood.

Një sistem teokratik apo diktaturë nuk mund të jetojë përgjithmonë dhe goditja finale do t’i vijë nga brenda, mund ta përshkruajmë me një fjali librin “Testamentet” (The Testaments) të Atwood, vijimi i shumëpritur i romanit “Rrëfenja e shërbëtores” (The Handmaid's Tale).

‘Testamentet’ nga Margaret Atwood: Një libër për
Shtëpia Botuese "Pegi"

Çfarë ndodhi me Efreditin? “Testamentet” vjen 35 vjet pas “Rrëfenjës”, por ngjarjet kohore në roman zhvillohen 15 vjet më vonë.

“Me “Testamentet”, Atwood-i ka arritur majat, duke bërë bashkë bujarinë, intuitën dhe kontrollin. Proza e saj është e shkathët, e drejtpërdrejtë, ku ngjarjet përmbysen në mënyrë të mrekullueshme. Në gjithë botën e lexuesve, librat e historisë hapen në fletën e bardhë pasuese dhe emri i Atwood-it është shkruar në krye të saj. Kur lexon këtë libër, ndien që bota po kthehet përmbys.” – shkruan Guardian. “Një narracion i shkathët, që të bën për vete; sa nxitës, aq edhe melodramatik,” thekson New York Times.

“Si arrin ta shndërrojë terrin në diçka kaq të thjeshtë? Si i ka shkuar ndër mend të fusë humorin, atje ku humori nuk ekziston? Sepse ajo është Margaret Atwood dhe mund të bëjë gjithçka!” thotë Ann Patchett, shkrimtare amerikane.

“Nuk di nëse mund të ketë shkrimtar më të mirë se Margaret Atwood që të dijë të shfrytëzojë kaq mirë ankthet e epokës ku po jetojmë.” - Entertainment Weekly.

‘Testamentet’ nga Margaret Atwood: Një libër për
Margaret Atwood

Margaret Atwood, vepra e së cilës është botuar në mbi dyzet e pesë vende, është autorja e më shumë se pesëdhjetë librave në prozë, poezi, ese kritike, si dhe romanesh grafike. Përveç “Rrëfenjës së shërbëtores”, tashmë një serial televiziv që ka fituar disa çmime, ndër romanet e saj renditen “Cat’s Eye”, kandidat për Çmimin Booker; “Alias Grace”, i cili ka fituar Çmimin Giller në Kanada dhe çmimin Mondello në Itali; “Vrasësi i verbër” fitues i Çmimit Booker në vitin 2000, botuar nga Botime Pegi në 2017; si dhe trilogjia “MaddAdam”.

“Rrëfenja e shërbëtores” u kthye në romanin më të kërkuar pas zgjedhjes së Donald Trump-it në krye të presidencës amerikane, kur Shërbëtoret u bënë simbol i rezistencës kundër shfuqizimit të të drejtave të gruas. Përpos Çmimit Booker, ajo ka fituar edhe çmime të tjera, si: Çmimin Arthur C. Clarke, Çmimin e Paqes të Industrisë Gjermane të Librit, Çmimin Letrar Ndërkombëtar “Franz Kafka”, Çmimin e Arritjes në Jetë, nga PEN Center USA dhe Çmimin e Inovatorit nga Los Angeles Times. Në vitin 2019, ajo u bë anëtare e Urdhrit të Shoqëruesve të Nderit për kontributin në letërsi.