"Edhe pse ne zakonisht i mbajmë vathët në vesh gjatë gjithë kohës, pra jo gjithmonë i heqim çdo mbrëmje dhe i rivendosim në mëngjes, është rëndësishme, sidoqoftë, t'i pastrojmë ato", shprehet dr. Roxanne Grawe.
Mjekja thotë se ndonëse nuk ka shumë gjasa që nga kjo të merrni infeksione të rënda veshi, rreth asaj zone mblidhet lëkurë "e vdekur", që është mirë të pastrohet. Sigurisht, as opsioni i një infeksioni nuk përjashtohet.
Nga ana tjetër, lënia e vathëve për një kohë të gjatë mund të krijojë diçka që dermatologët e quajnë "djathë veshi", i cili mund të sjellë erë të pakëndshme. Veshët sigurojnë një mjedis të ngrohtë për bakteret, yndyrën dhe qelizat e vdekura dhe era jo e mirë, vjen si rezultat i akumulimit të të gjithave sa u thanë më lart. Pra, nëse nuk hiqni dhe pastroni vathët tuaj rregullisht, era e pakëndshme vetëm sa do përkeqësohet.
Sa shpesh dhe si duhet t'i pastroni?
Dermatologu i certifikuar, Shari Sperling, rekomandon pastrimin e vathëve të paktën një herë në javë, duke thënë se "kaq është e mjaftueshem që ju të shmangni papastërtitë, bakteret dhe të parandaloni infeksionin dhe aromën e pakëndshme".
Fatmirësisht, procesi është mjaft i thjeshtë për t'u integruar në rutinën tuaj. E vetmja gjë që duhet të bëni është të lani vathët me sapun dhe ujë të ngrohtë, pak alkool ose pastrues bizhuterish. Më pas, t'i lini të thahen.
Nëse aktualisht po shihni se gjendja me veshët tuaj nuk duket e shëndetshme, mjekët sugjerojnë të qëndroni ca kohë pa vathë. Sigurisht, jo aq kohë sa t'ju mbyllen vrimat e veshëve. Për problematika më të mëdha, konsultohuni me mjekun tuaj.
Burimi: Well&Good