Në një intervistë për emisionin “Real Story”, kryeministri Edi Rama foli ndër të tjera edhe për atë që u konsiderua si sulm seksist ndaj kandidates demokrate për deputete në zonën e Kavajës, Grida Duma.
“Kam ekspozuar disa personazhe që quhet satirë politike. Lulzim Basha e plot të tjerë s’janë aty. Janë personazhe që është turp t’u ekspozohen shqiptarëve,” u shpreh ai për mënyrën si si zgjodhi të krahasonte kandidatët e Opozitës së Bashkuar me ata të Partisë Socialiste.
Rama vendosi edhe një audio nga debati i Grida Dumës me Frrok Çupin në “Open” për të evidentuar sipas tij faktin që Duma bërtet.
“Pse ju mendoni se është faji im që e shihni nga ana seksuale Grida Dumën? [...] Çfarë ka aty? Është një fotografi e zonjës me mikrofon dhe ‘gridare, oh-oh’ është ‘volare volare, oh-oh’ [kjo e fundit është këngë e Gipsy Kings]. Pra, ‘të fluturosh’ dhe ‘gridare’ të bërtasësh. Dhe kaq.” – i tha kryeministri drejtorit të Informacionit në News24, Robert Rakipllarit.
Ai e quajti foton oratori vizuale dhe jo vulgaritet.
“Mua nuk më shkon mendja te këto gjëra që i shihni ju. Se i shihni ju ashtu këto gra, unë nuk i shoh. Ajo është kundërshtare në fushë, nuk bëj diskriminim. Ajo është satirë politike, është oratori vizuale dhe jo vulgaritet. Si përdor këto gjëra për t’u mbrojtur apo për të sulmuar.”
Artikull i rekomanduar: Pse po kritikohet sulmi i Edi Ramës ndaj Grida Dumës