Dhjetëra besimtarë të krishterë ortodoksë mbajtën kryqe prej druri dhe kënduan himne jashtë transmetuesit shtetëror në Qipros për të kërkuar tërheqjen e këngës përfaqësuese të vendit për në Eurovision - të titulluar El Diablo – e cila sipas tyre promovon adhurimin satanik.
Disa nga protestuesit, përfshirë familje, mbanin pankarta në greqisht, "Ne po protestojmë paqësisht, jo El Diablo", "Pendohu dhe kthehu te Krishti" dhe "Krishti shpëton, Diablo vret". Këngëtarja Elena Tsagrinou këmbëngul se është keqinterpretuar dhe kënga në fakt ka të bëjë me një marrëdhënie abuzive mes dy të dashuruarve.
Protesta erdhi disa ditë pasi kisha ortodokse bëri thirrje për tërheqjen e këngës, sepse sipas saj tallej me bazat morale të vendit duke mbrojtur "dorëzimin tonë ndaj djallit dhe duke promovuar adhurimin e tij".
Artistja greke Elena Tsagrinou u shpreh se kënga ka të bëjë me një grua që kërkon ndihmë pasi ra në dashuri me një "djalë të keq" të njohur si "El Diablo". Ajo thekson se çdo interpretim tjetër është "i pabazuar".
"Kënga dërgon një mesazh të fortë, kundër çdo forme abuzimi, siç është ai i përcjellë në El Diablo," tha ajo për Associated Press. "Në këto kohëra të lëvizjes Me Too, mesazhi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe mund të ndihet jo vetëm në Qipro, por edhe në të gjithë Europën dhe më gjerë.”
Ajo shtoi se është e krishterë dhe besimi i saj ishte shumë i rëndësishëm. Duke iu drejtuar mohuesve të këngës, Tsagrinou tha "ne të gjithë duhet të përqafojmë mesazhin e vërtetë të këngës".
“Muzika bashkon dhe fuqizon. Le të përqendrohemi te ajo dhe çështjet e rëndësishme rreth nesh dhe të lëmë pas interpretime të gabuara dhe mendime të errëta,” shtoi ajo.
Burimet: Associated Press, Guardian