Kur Sia publikoi "Chandelier" me Maddie Ziegler në klip, kënga u bë shpejt e preferuara e të gjithëve dhe prej atij projekti, Ziegler ka shoqëruar thuajse çdo performancë dhe këngë të Sia-s. Madje, këngëtarja ka deklaruar hapur se nuk ka më dëshirë të bëjë projekte pa Ziegler.
Pas disa detajeve të fundit që u publikuan në lidhje me marrëdhënien e të dyjave, njerëzit në internet e kanë quajtur lidhjen "problematike" dhe disa akuzojnë Sia-n për *grooming.
Grooming* - i referohet ndërtimit të një marrëdhënieje emocionale me një fëmijë apo të ri, për ta manipuluar, shfrytëzuar dhe abuzuar me të”, sipas Shoqatës Kombëtare për Parandalimin e Mizorisë ndaj Fëmijëve (National Society for the Prevention of Cruelty to Children).
Çfarë u mësua për dyshen?
Në një episod të Fierce, Sirius XM: Women in Music, Sia pranoi se ditën e parë që u takua me balerinën, ndjeu lidhjen e menjëhershme dhe përjetoi dashurinë e një nëne me fëmijën e parë. Ajo tha se s'e kishte menduar se mund të donte dikë aq shumë, derisa u takua me Ziegler dhe se ishte mirënjohëse që mamaja e saj, Melissa Gisoni, e "ndante" Maddie-n me të.
Sia gjithashtu pranoi se ajo kujdeset shumë për Ziegler dhe përpiqet ta mbrojë, duke paguar edhe rojet e sigurisë për balerinën.
"Unë i ofroj siguri 24-orëshe, sepse ndihem përgjegjëse për famën e saj pasuese."
Ndër të tjera, Sia tha se ndonjëherë flet në emër të Maddie-t sepse ajo arrin ta kuptojë atë vetëm me sy. Disa fansa menduan se kjo ishte thjesht një lloj mbrojtjeje ndaj balerinës, por të tjerë e cilësuan si sjellje kontrolluese, duke marrë parasysh se ajo është 18 vjeç.
Këngëtarja duket se ka një farë kontrolli edhe në karrierën e Ziegler. Sia është shprehur se ajo ka vendosur që një mënyrë e mirë për ta mbajtur të sigurt balerinën është "që ajo të vazhdojë të jetë në projekte me të, kështu janë duke punuar gjithnjë së bashku". Ajo madje pranon se ka ndërhyrë edhe në projekte të tjera të Ziegler, duke i sugjeruar mamasë së saj që të mos pranojë të jetë pjesë e tyre.
Duket qartë që 45-vjeçarja ka një ndikim të pamohueshëm në jetën e 18-vjeçares, ndikim i cili shumë njerëzve po u duket disi i dyshimtë dhe i çuditshëm.
Dikush mendon se edhe fakti që Sia ndjek vetëm Maddie-n në Instagram s'është shumë normale dhe të tjerë rikujtojnë dhuratën e papërgjegjshme të Sia-s për Maddie-n, një makinë kur ajo ishte 16 vjeç dhe atëherë s'kishte ende patentë.