Fletore Kinemaje

Nightcrawler

19 Janar 2015

Nightcrawler

Imdb: 8.1?
Rotten Tomato: 95%
Metacritic: 76%
Personal: 8?

Të enjten e shkuar, në datë 15 Janar, u bënë të ditura listat e nominimeve për Çmimet Oscar, ceremonia e ndarjes të së cilëve do të mbahet me 22 Shkurt. Si e do zakoni, ashtu si edhe në çdo kompeticion, menjëherë pas publikimit të listave filluan dhe kritikat për përzgjedhjet e filmave. Megjithatë, nëse shihet përtej zakonit të të kritikuarit, dy filma që realisht ishin të vendosur ‘me mik’ janë Selma dhe American Sniper. Filmi Selma ka për tematikë përpjekjet e afro-amerikanëve të drejtuar nga Martin Luter King për të siguruar të drejtat e tyre gjatë viteve të presidencës së Lyndon Johnson. Ndërsa American Sniper është bazuar në historinë e ushtarit snajperist amerikan Chris Kyle, njëfarë Vasily Zaytsev (Enemy at the Gate) në version më bashkëkohor. Të dy këto krijesa propogande amerikanizimi, vuajnë artistikisht dhe janë bërë të llodhshme si formula duke u risjellë vit pas viti. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, janë prezencë e sigurt në nominime dhe në marrjen e Çmimeve Oscar. Si për shembull, ndonëse American SniperGolden Globes nuk ishte fare prezent, në Oscar shkon me 6 nomime.

Nightcrawler ishte ndër të paktët filma indipendent që arriti të nominohej dhe të ishte në listën e kategorisë Best Original Screenplay (Skenari origjinal më i mirë). Film ky debutues për regjisorin Dan Gilroy, i cili është edhe autori i skenarit. Në këtë rast kritikat shkuan për mungesën e një nominimi të dytë në kategorinë Best Actor (Aktori protagonist më i mirë). Në rrjet e quanin kriminale që aktorit protagonist Jake Gyllenhaal nuk ia dha nominimi për rolin e Lou Bloom. Një kameran fillimisht amator dhe më pas profesionist, që endet rrugëve të Los Angeles në kërkim të aksidenteve apo fatkeqësive që mund të ndodhnin në qytet gjatë natës. Materialet filmike të regjistruara iu shiten më pas kanaleve televizive të interesuar për t’i transmetuar në emisionet e mëngjesit.

Atmosfera tek Nightcrawler mund të lexohet si një martesë e dy filmave të tjerë të mëdhenj. Gjejmë personazhin e përhumbur si tek Taxi Driver (1976) dhe pështirosjen urbane që ka Crash (1996). Dy elementë artistikë, me të cilët regjisori Dan Gilroy vesh personazhin kryesor dhe e vërsul në një kritikë ndaj ekranit të vogël, televizionit. Ashtu si dhe personazhi i Lou Bloom vrapon të filmoi tmerret që ndodhin gjatë natës për t’i shitur në orët e para të mengjesit, media po ngacmon frikërat tona më të errëta për të na mbajtur pa ndalur në ‘ethet e informimit’ (terrorizmi, epidemitë, aksidentet, vrasjet). Një personazh ky i ndërtuar mjeshtërisht nga Jake Gyllenhaal. Elementi për t’u përmendur nga aktrimi i tij dhe i vlerësuar nga të gjithë është shikimi. Një shikim i zbrazur që ia kalon edhe Al Pacino tek Scent of a Woman (1992).

Duke e fituar ose jo së paku një Çmim Oscar, edhe pa kandidaturën e Jake Gyllenhaal, Nightcrawler do jetë arsyeja që kinemaja ia vlejti edhe për vitin 2014.

Trailer i filmit: