TV Mania

Aktorja e ‘Mimoza Llastica’ flet për kontributin e rëndësishëm për Shqipërinë

Shkruar nga Anabel

14 Dhjetor 2020

Aktorja e ‘Mimoza Llastica’ flet për kontributin e

Në një intervistë me Bieta Sulon në “Ftesë në pesë”, Zhaklina Dhimojani Blättler, e njohur për rolin e saj në “Mimoza Llastica”, foli për kontributet e herëpashershme në ndihmë të sistemit shëndetësor në Shqipëri në këtë periudhë pandemie.

Në fillim të shtatorit, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bëri me dije se Zhaklina dhe bashkëshorti i saj dhuruan për spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” disa respiratorë.

“Ambasada e RSH në Bernë i shpreh falenderime dhe mirënjohje zonjës Blättler, që gjatë këtyre viteve në Zvicër ka dhënë ndihmën e saj në fushën sociale, ka promovuar artin dhe kulturën tonë në diasporë dhe ka kontribuar me donacione të ndryshme për Bashkinë e qytetit të Himarës, prej nga ajo ka origjinën.”

Pak ditë më parë, Zhaklina shkroi në Facebook:

“Sot nisëm nga Berna/Zvicra një karvan me ndihma që konsistojnë në krevate, komodina dhe inventarë të ndryshëm që do të përdoren nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për situatën emergjente të Covid-19. Gjithashtu, për këtë ministri shkojnë edhe 1 autoambulancë, 1 autotransporter për persona me aftësi të kufizuara, 2 minibusë/ dhe 2 autotransporter, 50 laptopë. Këtij karvani i bashkohen edhe 2 zjarrfikëse me destinacion Ministrinë e Mbrojtjes, të cilat do të përdoren gjatë emergjencave.”

Në “Ftesë në pesë” ajo theksoi se këto kontribute ishin në kuadër të mënyrës së familjes së saj për t’u shprehur në çdo situatë. “Ishte momenti që të bëhej diçka pozitive,” tha ajo.

“Nuk jam vetëm. Mbrapa meje, si në çdo përpjekje që unë kam ndërmarrë këto 10-12 viteve, qëndron im shoq. Ne asnjëherë nuk i bëjmë gjërat të ndarë. Është ai dhe familja ime që më mbështet.”

Dhimojani Blättler, me profesion ekonomiste, është pjesë e Këshillit Bashkiak në bashkinë e Himarës dhe u shpreh në “Ftesë në pesë” se nuk e përjashton mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme ta shohë veten në pozicione të tjera drejtuese në këtë bashki, por theksoi se nuk është vendosur asgjë.

Aktorja e ‘Mimoza Llastica’ flet për kontributin e
Zhaklina me bashkëshortin dhe vajzën e saj, duke përshëndetur Papa Françeskun.

E pranishme në pak prodhime kinematografike përpos “Mimoza Llasticës”, si “Qortimet e vjeshtës” dhe “Babai i studentit”, Dhimojani u largua nga Shqipëria në fillim të viteve ’90. Ajo dhe bashkëshorti i saj jetojnë në Zvicër dhe janë prindër të një vajze 25-vjeçare, Alexandra.