
Në lidhje me vrasjen e Klodjan Rashës, e cila u pasua ditën e sotme nga një protestë e dhunshme, në një komunikim me Top Talk në Top Channel, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, u shpreh se “institucionet e policisë janë vënë në lëvizje për të zbardhur çështjen, si Prokuroria e Rrethit Gjyqësor dhe Shërbimi për Çështje të Brendshme të Ankesave”.
“Ngjarja e ditës së djeshme është një rast domethënës që çdo individ, çdo punonjës duhet të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin. Jemi të vendosur që të mos ketë dyshime që do të bien në kundërshtim me ligjin. Policia e Shtetit nuk do të lejojë që imazhi i saj i ndërtuar me mund, sakrifica e gjak të cenohet nga veprime sporadike të izoluara të individëve të veçantë në shkelje të ligjit apo procedurave standarde të saj”, tha ai.
Më pas shtoi:
“Kemi filluar analizat në çdo drejtori vendore të policisë në të cilat do të evidentojmë të gjitha problematikat, ku konstatohen defekte të punës sonë, qoftë të përzgjedhjes qoftë të kontrollit, të garantojmë një plan program specifik të kësaj situate. Për disa vite me radhë, kam punuar dhe po punoj që të rris forcimin e besimit të publikut. Në veprimtarinë e saj policia nuk e ka në praktikë përdorimin e armës ndaj qytetarit. Policia, strukturat do të punojnë që ta kurojnë këtë imazh. Policia nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një polici vrasëse. E ka paguar me jetën e 202 punonjësve të saj të rënë në krye të detyrës.”
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, shkroi orë më parë:
“E vërteta është ngushëllimi më i madh.
Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike.
Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës.
Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët.
Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë.”
Në një deklaratë zyrtare, Policia e Shtetit u shpreh:
“Në emër të punonjësve të Policisë së Shtetit, të prekur nga ngjarja e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Tiranë, e cila përfundoi me vrasjen tragjike të të riut Klodjan Rasha, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, të afërmve dhe qytetarëve të lënduar nga ky akt.
Pas ngjarjes së ndodhur, krahas hetimeve të nisura nga organet e pavarura, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, strukturat përgjegjëse në Policinë e Shtetit po analizojnë në mënyrë intensive të gjithë shkaqet, veprimet, mosveprimet apo faktorë të tjerë që çuan në incidentin fatal.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në detyrën e saj për rritjen e sigurisë publike, në mbrojtje të jetës dhe të drejtave të çdo qytetari.”