Shqipëria

Silva Bino, thirrje për të treguar kujdes: 'Personalisht e kalova në formë të rëndë Covid-19'

Shkruar nga Anabel

24 Tetor 2020

Silva Bino, thirrje për të treguar kujdes: 'Personalisht e kalova

Silva Bino, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, i ka kërkuar publikisht njerëzve të bëjnë kujdes me valën e dytë që vendi dhe e gjithë bota po kalon me Covid-19. 

Bino u shpreh se virulenca e sëmundjes nuk ka ndryshuar dhe format e saj nisin nga më e lehta deri tek më e rënda, prandaj parandalimi dhe mbrojtja është arma më e mirë. Sipas saj, rreziku mbetet i lartë për të gjithë njerëzit, përfshi këtu edhe ata që nuk vuajnë nga sëmundje shoqëruese, duke i kujtuar qytetarëve eksperiencën personale me Covid-19.

"Covid-19 ekziston, paraqitet në disa forma. Ka forma të lehta, mesatare, forma të rënda dhe tepër të rënda. Virulenca siç thuhet shpeshherë nuk ka ndryshuar. Personalisht e kalova në formë të rëndë. Pra e provova vetë se çfarë do të thotë të kalosh Covid-19, në formë të rëndë.

Për të gjithë ata që nuk besojnë duhet të jetë të kujdesshëm, të dëgjojnë historitë njerëzore që tregojnë se sa e rëndë është sëmundja kur nuk mbushesh dot me frymë, kur nuk merr oksigjenin.

Për këtë arsye duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mbrojmë të afërmit, pavarësisht sëmundjes apo pavarësisht nëse kanë apo jo sëmundje shoqëruese, pasi shpesh, Covid-i nuk pyet!"- dëgjohet të thotë ajo në mesazhin e postuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ndërkohë që në një pjesë të mirë të vendeve europiane janë rikthyer masat shtrënguese në kufizime oraresh dhe karantinë të pjesshme, në vendin tonë që prej 15 tetorit vendosja e maskës edhe në ambiente të hapura është bërë e detyrueshme.