TV Mania

Aktorja Adriana Matoshi flet për momentin e vështirë: ‘Vajza më pyeti nëse do të vdisja’

Shkruar nga Anabel

9 Tetor 2020

Aktorja Adriana Matoshi flet për momentin e vështirë:

Adriana Matoshi, në një intervistë për “Rudina”, tregoi për një nga momentet më të vështira në jetën e saj, kohën kur ishte shtatzënë dhe njëkohësisht mësoi se vuante nga një tumor në kokë, ndërkohë që pak kohë më parë sapo kishte përfunduar xhirimet e filmit “Kthimi”, të cilin e xhiroi duke menduar se ndoshta do të ishte filmi i saj i fundit.

“Ishte vitit 2012 dhe isha shtatzënë. Isha shtatzënë dhe në atë kohë më kanë thirrur për të luajtur filmin ‘Kthimi’ dhe unë në atë moment thashë jo, sepse e kisha kuptuar që kisha tumor. Por pastaj, kur e mendova më thellë, mendoja që ndoshta ishte filmi im i fundit, diçka që fëmija im i katërt të kuptonte se cilën kishte nënë në atë periudhë. Kam xhiruar filmin, kam pasur shumë vështirësi, kam lindur fëmijën dhe në kohën kur filmi konkurronte në një nga festivalet më të mirë në botë, ku morëm çmimin ‘Filmi më i mirë’, unë isha e shtrirë në spital dhe mendoja si do më ecte operacioni.”

Më pas, shtoi:

“Kisha një stres, [s’dija] çfarë do bëhej me mua dhe si t’ja bëja që situata të mos merrej vesh nga familjarët. Kisha një frikë se mos nuk shpëtoja [gjallë]. Unë jam fëmijë i vetëm dhe kam qenë drita e syve për prindërit e mi[...] Momenti më i vështirë ka qenë kur kam lënë fëmijët dhe kam ardhur në Tiranë [për t’u operuar] dhe vajzën e vogël e kam pasur në gji. Gjithmonë, gjatë atyre ditëve që e kisha në gji, thjesht pinte dhe flinte. Atë ditë, kur do nisesha, nuk më lëshonte gjirin. Ajo qante dhe qante. Mendoja se ajo e ndjente. I përqafova fëmijët. Kaona [vajza] ishte në gjumë dhe në gjumë tha: ‘Mam’, a ke me vdek?’. Isha e tronditur.”

Aktorja u shpreh se humbi shikimin nga njëri sy, ndërkohë që nga tjetri shihte vetëm 30%, megjithatë e vetmja gjë që i interesonte ishte të shihte sadopak të bijën e sapolindur, të cilën nuk ia mbante mend fytyrën sepse iu nënshtrua operacionit disa javë pas ardhjes së saj në jetë.

“Ajo ishte e vetmja, sigurisht edhe fëmijët e tjera, por ajo ishte arsyeja që më dha më shumë forcë për t’u çuar më shpejt dhe për të marrë veten që ta shihja si dukej.”

Në përfundim të rrëfimit, aktorja tregoi se përvoja e hidhur e bëri më të fortë dhe sot “ia di vërtet kuptimin jetës”.

Adriana Matoshi është një nga aktoret më të lakmuara të regjisorëve viteve të fundit, karriera e së cilës numëron disa filma të suksesshëm.