Sipas një letre të dorëzuar në zyrën e prokurorit në Luzern (via 20 Minutes), Loredana ka shfaqur pendim duke pranuar sjelljen e gabuar ndaj palës së dëmtuar, në këtë rast zonja zvicerane e njohur me emrin Petra.
Zyra e prokurorit ka mbyllur çështjen kundër reperes, me kërkesë të palëve. Sipas 20Minutes, Thomas Fingerhuth, avokati i Loredanës, tha: "Ne jemi të kënaqur që qemë në gjendje të merreshim me procedurat në një mënyrë që të dyja palët të ishin të kanaqura. Gjëja më e rëndësishme është që Loredana dhe znj.Petra qenë në gjendje të flisnin me njëra-tjetrën dhe tani kanë marrëdhënie të mirë.”
Palët kërkuan që çështja të mos vazhdonte më tej dhe Loredana ka dëmshpërblyer znj.Petra me 400,000 franga zvicerane, ndërkohë që në pranverën e vitit 2019, i ka shlyer një pjesë të shumës të marrë me mashtrime dhe kërcënime. 20Minuten thekson se Loredana i kërkoi falje palës së dëmtuar për veprimet e saj dhe mori përgjegjësinë e plotë për veprimet e paligjshme.
Loredana u arrestua mbrëmjen e 7 majit pas akuzave për mashtrim, kërcënim dhe zhvatje në Zvicër, ndërsa më pas u la e lirë. Të tjera akuza u ngritën për reperen, fillimisht nga një person që pretendoi se ishte ish-shoqja dhe më pas nga avokati, emri i të cilit mendohet se u keqpërdor nga Loredana. Për të sqaruar situatën, reperja dha një konferencë për mediat në prani të avokatëve të saj. Në fund të shtatorit, Lori njoftoi se ka bërë paqe me zonjën Petra.