Aktorja angleze Diana Rigg, e njohur për rolet e saj në teatër, film dhe televizion – duke përfshirë “Avengers” dhe “On Her Majesty’s Secret Service” – ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare.
Rigg, e cila u shqua në vitet 1960 për rolin e saj si Emma Peel në “The Avengers”, pati një karrierë të larmishme, duke përfshirë edhe Lady Olenna Tyrell në hitin e HBO, “Game of Thrones”, një serial për të cilin ajo pranoi në 2019-n se nuk e kish parë kurrë.

Rigg luajti edhe konteshën Teresa di Vicenzo, ose Tracy Bond, gruaja e parë dhe e vetme e James Bond, në filmin e vitit 1969 “On Her Majesty’s Secret Service”.

Agjenti i saj u shpreh se Rigg ndërroi jetë në paqe këtë mëngjes (10 shtator). Vajza e saj, aktorja Rachael Stirling, tha se Diana u diagnostikua me kancer në mars dhe “muajt e fundit i kaloi me gëzim duke reflektuar për jetën e saj të jashtëzakonshme, plot dashuri, të qeshura dhe krenari për profesionin”.
Para “Avengers”, Diana Rigg pati një karrierë të suksesshme në teatër dhe performoi në Royal Shakespeare Company. Në Broadway, u nominua për dy Tony në 1970 dhe 1992. Gjithashtu fitoi edhe një çmim BAFTA për “Aktoren më të mirë” për miniserialin e BBC, “Mother Love” në 1989 dhe një çmim Emmy për rolin si Zonja Danvers për “Rebecca” (përshtatja e vitit 1997).
Burimi: The Guardian