Bota

Nusja libaneze rrëfen momentet e tmerrit, pas videos që u bë virale

Shkruar nga Anabel

6 Gusht 2020

Nusja libaneze rrëfen momentet e tmerrit, pas videos që u bë

Israa Seblani, një 29 vjeçare libaneze, po përjetonte një nga momentet më emocionuese të jetës së saj, teksa përgatiste videon e dasmës dhe pozonte e veshur me fustanin e bardhë, kur shpërthimi i fuqishëm në Bejrut gati sa nuk i mori jetën. Videoja e momentit rrënqethës u shpërnda nëpër rrjete sociale dhe u bë virale pak pas tragjedisë që deri tani i ka marrë jetën 137 personave, ndërkohë që më shumë se 5,000 njerëz raportohen të plagosur.

Israa, me profesion doktoreshë, punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shkoi në Liban për të organizuar dasmën. Një ditë pas tragjedisë, ajo u rikthye në vendin ku po realizonte klipin, së bashku me bashkëshortin, Ahmad Subeih, një biznesmen 34 vjeç nga Libani.

Nusja libaneze rrëfen momentet e tmerrit, pas videos që u bë

“Kam qenë duke u përgatitur për ditën time prej dy javësh dhe isha e lumtur, si të gjitha vajzat e tjera. Po martohesha. [Mendoja] prindërit që do të ishin të lumtur të më shihnin me fustan të bardhë, do të dukesha si princeshë.” – tha ajo për Reuters.

Më pas shtoi:

“Çfarë ndodhi pas shpërthimit...nuk kam fjalë ta shpjegoj. U shokova. Po përpiqesha të kuptoja se çfarë ndodhi. A do të vdes? Si do të vdes?”

Israa përmendi gjithashtu edhe momentin kur po lëviznin nëpër rrugë, pas shpërthimit.

“Ishte e trishtueshme. Nuk e përshkruaj dot shkatërrimin dhe zhurmën e shpërthimit. Jemi ende të shokuar. Nuk kam dëgjuar kurrë në jetën time një zhurmë të atillë. Kur u zgjova dhe pashë dëmin në Bejrut, falenderova Zotin që jam gjallë.”

Pavarësisht të gjithave, ajo po përpiqet të gjejë sadopak gëzim.

“Ka kaq shumë dëme, shumë njerëz u vranë dhe të tjerë u plagosën. Por kur shoh veten, bashkëshortin dhe fotografin se si shpëtuam të padëmtuar, falenderoj Zotin që na mbrojti. Kjo më bën të ndihem optimiste dhe të vazhdoj të gëzoj për qëllimin që erdha këtu.”