Ribashkimi i famshëm i “Friends”, për të cilin u përfol aq shumë, mund të jetë në prag të fillimit të xhirimeve. David Schwimmer (Ross), tha për emisionin e Jimmy Fallon, se ai dhe personazhet e tjerë të serialit mezi presin të nisin xhirimet speciale për HBO Max, por duan ta bëjnë këtë në siguri të plotë. Aktori që pati rolin e Ross Geller për një dekadë, tha se ky prodhim do të jetë një lloj “interviste argëtuese” shoqëruar me shumë pjesë të tjera surprizë.
Plani fillestar i xhirimeve, ishte të bëhej që në mars, përpara një audience live, por si shumë plane të tjera, koronavirusi nuk e bëri të mundur këtë.
“Tani supozohet të ndodhë diçka në gusht, në mes të gushtit ndoshta”, tha ai për Fallon. “Sinqerisht, ne do të presim dhe do të shohim si do shkojë gjithçka për një javë ose dy, në mënyrë që të vendosim a është vërtet i sigurt vazhdimi i punës. Në të kundërt, do të presim derisa të jetë i sigurt.”
Ata po shpresojnë ende, për të performuar me një audiencë live, por në kushtet aktuale kjo duket e vështirë.
“Ne mendojmë se ka një lloj tjetër emocioni kur je përpara një audience të madhe, që mezi pret të shohë këta gjashtë miq të rikthehen së bashku dhe nuk do donim ta bënim si një konferencë takimi online, me gjashtë katrorë me fytyrat e personazheve, gati për të komunikuar me njerëzit nga ana tjetër e ekranit, tha shefi i HBO Max, Bob Greenblatt për Variety në maj.
Burimi: Today