Shqipëria

Ç'po ndodh dhe ç'pritet të ndodhë me Covid-19 në vendin tonë

Shkruar nga Anabel

23 Qershor 2020

Ç'po ndodh dhe ç'pritet të ndodhë me Covid-19

E ftuar në "Abc News", Silva Bino foli për fenomenin e rritjes së të shtruarëve në Spitalin Infektiv. Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, theksoi ndër të tjera se kohët e fundit janë vënë re forma të rënda edhe tek të rinjtë.

“Ne shpresojmë që këto shifra të ulen, duke ndërgjegjësuar jo vetëm popullatën, por duke zbatuar edhe masat nëpërmjet policisë shpeshherë. Kur njerëzit nuk janë të ndërgjegjshëm për të mbrojtur të tjerët atëherë ndërhyn policia."- u shpreh Bino,  duke shtuar se virulenca e Covid-19 ende nuk ka rënë.

“Virusi covid në shumicën e rasteve shkakton sëmundje të lehtë apo mund të jetë asimptomatik tek disa grupe të rinjsh. Ka një mortalitet më lartë se gripi dhe faktet kanë treguar se nuk është diçka e sajuar. Kemi një numër të lartë rastesh, kemi një numër të lartë shtrimesh, kemi një numër të lartë vdekjesh.

Këtu nuk ka asgjë për të sajuar. Sa i përket grupeve anti-vaksinë të cilat janë bërë të shumë vokal, kohët e fundit, pa baza. Shqipëria nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje në lidhje me këtë gjë. Vaksina është akoma në fazat e para në vende të ndryshme të botës. Vaksinat kanë qenë element i rëndësishëm për ecurinë e njerëzimit dhe shëndetin e tyre."

Bino bëri me dije se me ardhjen e vjeshtës të gjithë duhet "të përgatiten për më të keqen", pasi gjatë stinës më të ftohtë njerëzit do të vihen përballë dy sëmundjeve; koronavirusit dhe gripit. 

"Kombinimi i këtyre dy sëmundjeve që kanë shenja klinike të ngjashme do të shtojë numrat, por edhe kërkesën për shërbime mjekësore.

Do të shihet nëse këto dy viruse do të jenë në garë me njeri-tjetrin apo dikush ti zërë vendin tjetrit. Mbetet për tu parë. Ne duhet të përgatitemi për më të keqen."'- përfundoi ajo.