
Pasi qeveria në Kosovë anuloi dasmat duke i konsideruar ceremoni me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e Covid-19, disa këngëtarë morën pjesë në një protestë ku thanë se koncertet dhe dasmat janë e vetmja mënyrë përmes të cilës sigurojnë të ardhurat.
Shqetësimi i tyre është i drejtë, megjithëse duhet thënë se forma përmes së cilës zgjodhën të ngrenë shqetësimin është e çuditshme, pse jo mund të rezultojë e rrezikshme.
Në protestën pa maska dhe doreza, Labinot Tahiri tha se ”virusi është një gënjeshtër” dhe se “u ka dhënë dorën 10 mijë vetave”.
“10 mijë vetave ua kam dhënë dorën. Unë e di do të dalë një njeri me ndikim ndërkombëtar në mbarë botën që do të thotë që ky virus është gënjeshtër. A jemi 20 veta bashkë? Më thoni pas një jave nëse do të sëmuret njeri, nëse dikush infektohet nga unë, mbaj përgjegjësi për ju dhe shkoj në burg për ju.”
Po në të njëjtën protestë, këngëtarja Edona Llalloshi shtoi:
“Derisa kanë filluar punën shumë biznese në Kosovë, atëherë pse mos të jetë mundësia e lejimit të punës sonë? Ky nuk është shqetësim vetëm i këngëtarëve, i estradës, kjo është zinxhirore, kjo lidhet edhe me çështje tjera, me individë të cilët varen nga ky vendim.”

Aktorja Delinda Disha është gjithashtu në të njëjtin mendim me Labinot Tahirin dhe mendon se “Covid-19 është mashtrim”.
Covid-19 është një mashtrim i madh për të hapur panik në popullsi që të bëjnë vaksinën. Por ne duhet të jemi të gjithë bashkë për t’i thënë ‘JO’. Një gënjeshtër që po i shkatërron njerëzit psikologjikisht dhe ekonomikisht.” – shkruan ajo në Instagram.

Në mars, Robert Berisha, teksa përgatitej për një koncert në Nju Jork, tha se “do të digjet neja [skena]" dhe ftoi njerëzit të shkojnë në koncert. Madje shkoi edhe më tej duke thënë se “s’je shqiptar i vërtetë nëse trembesh nga virusi” a thua se virusi pyet se je shqiptar.
Për ta përmbledhur, interpretimi i këtyre deklaratave është kompleks, pasi kemi përplasjen e autoriteteve shëndetësore nga njëra anë me lirinë për të shprehur hapur mendimin nga ana tjetër, qoftë ky mendim një teori konspirative apo bindje e brendshme për një situatë të caktuar. Megjithatë, vlen të thuhet se të tilla deklarata dhe organizime protestash pa mjete mbrojtëse, për sa kohë të tillë personazhe kanë njëfarë ndikimi te ndjekësit, mund të shkaktojë mosrespektim të rregullave të distancimit social.
Koronavirusi mund të jetë vërtet “një gënjeshtër e madhe”, por autoritetet shëndetësore nuk kanë konfirmuar gjë. Deri atëherë, ndoshta do të ishte mirë që bindjet dhe teoritë t’i mbanim për vete për aq kohë sa ky virus është gjithë të panjohura.