Shoqata e Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas, përmes një deklarate për mediat, u shpreh se tranporti publik mund të mos rinisë të hënën, në rast se nuk plotësohen kushtet e propozuara ndaj qeverisë.
“Kemi kërkuar nga institucionet përgjegjëse ndërmarrjen e masave të nevojshme që do të mundësojnë kryerjen e shërbimit sipas protokolleve të publikuara. Konkretisht: transport publik falas për të gjithë kategoritë gjatë periudhës së pandemisë të garantuar nëpërmjet financimeve të organeve qendrore dhe vendore përgjegjëse, praktikë e ndjekur edhe nga vendet e rajonit dhe BE-së. Në këto kushte operatorët garantojnë gatishmëri maksimale për respektimin rigoroz të protokollit të sigurisë.”
Një tjetër alternativë është kompesimi nga shteti për 30% të kapacitetit që mbetet bosh, heqja e akcizës dhe taksave për karburantin, heqja e TVSH-së së transportit për 2020-n dhe në 2021-shin të shkojë në 6% (nga 20% që është aktualisht) dhe rimbursim për kategoritë përfituese të transportit publik falas.
Në një tjetër postim, Shoqata shkruan:
“Llogaria është e thjeshtë:
1. 30% të kapacitetit ta kufizon shteti.
2. Urbanët do jenë me kapacitet të kufizuar dhe kjo sjell ulje fluksi për transportin ndërqytetas. Pra minus 30% të tjera.
3. 10% kanë frikë të udhëtojnë.
4. 10% kanë vap të udhëtojnë pa kondicioner sepse nuk lejohet kondicioneri, por vetëm ajrimi natyral.
5. 20% ikin me transport informal.Nga ana tjetër keni detyrim që të respektohet distanca 1.5 M, të dezinfektohen autobusët dhe të pajisen me alkool , të pajisen stafet me maska dhe doreza. Nëse nuk respektohen dhe ju kapin në gabim, përveç gjobës së majme rrezikohet dhe burgu me ndryshimet e reja në kodin penal!”
Të tilla kërkesa u bënë publike edhe pak ditë më parë, përmes një letre të firmosur nga kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas dhe kryetari i Shoqatës Urbane dhe Interurbane Veri.