Të hënën, më 15 qershor, do të rinisë shërbimi i transportit urban dhe ndërurban, sipas një protokolli të miratuar nga autoritetet shëndetësore. Në një njoftim në Facebook, kryeministri Rama bëri me dije se “ndalohet kategorikisht rritja e çmimit të biletës për qytetarët”dhe sqaroi se si do të procedohet me mbështetjen e këtij sektori.
“Qeveria do ta mbështesë këtë sektor përmes:
• njohjes si shpenzim të zbritshëm të 100% të konsumit të naftës
• zero taksa dhe po ashtu zero tarifa vendore deri në 31 dhjetor 2020.”
Kryeministri tha se “brenda 2020 do të kryhet reforma e plotë ligjore/fiskale e sektorit dhe në 1 janar 2021 do të nisë zbatimi i saj me biletën elektronike si hap i parë”.
Në njoftimin publik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh se nëpër urbanë do të lejohet 70% e kapacitetit dhe të gjithë pasagjerët duhet të jenë të pajisur me maska.