Shqipëria

A do të përdorë Shqipëria terapinë e plazmës së personave të shëruar nga Covid-19?

Shkruar nga Anabel

5 Maj 2020

A do të përdorë Shqipëria terapinë e plazmës

Një nga metodat më të përfolura të momentit në lidhje me luftimin e koronvirusit është përdorimi i plazmës (lëngu ku notojnë të gjithë elementët e gjakut) së personave të shëruar nga Covid-19, gjë për të cilën u pyet edhe Albana Fico, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik.

Gjatë komunikatës për media, Fico u shpreh se “kjo metodë është në fazë eksperimentale” dhe kësisoj “duhet kohë që të vendoset në platforma të aplikueshme.

“Në fakt kjo është një nga ato gjërat për të cilat ne jemi shprehur shpesh duke konstatuar faktin që komuniteti mjekësor është në dilema të jashtëzakonshme. Përdorimi i çdolloj metode dhe gjetje janë në faza ekeperimentale. Do të duhet kohë që në fakt të gjitha këto njohuri dhe eksperienca të përfituara të vendosen në platforma të aplikueshme.”

Përdorimi i plazmës së gjakut të pacientëve të shëruar nga koronavirusi u përfol që në mes të shkurtit nga zyrtarë kinezë. Qasja e tyre u konsiderua si e logjikshme nga ekspertë të Live Science, webside me përmbajtje artikujsh shkencorë. Një metodë e tillë ka nisur të aplikohet edhe në Turqi.

Për ta kuptuar më qartë: Sistemi imunitar i prodhon antitrupat për të luftuar viruset, bakteret ose substancat e tjera, të huaja për organizmin. Antitrupat janë specifikë për secilin “pushtues”. Sidoqoftë, trupi ynë kërkon pak kohë për prodhimin e tyre. Nëse i njëjti virus/bakter përpiqet të hyjë sërish në organizëm, prodhimi i antitrupave është më i shpejtë.

Njerëzit të cilët janë shëruar nga koronavirusi i quajtur së fundmi Covid-19 kanë ende antitrupa ndaj koronavirusit që qarkullon në gjakun e tyre. Injektimi i këtyre antitrupave te pacientët e sëmurë mund të ndihmojë, të paktën teorikisht, në luftën kundër koronavirusit.

Megjithatë suksesi nuk është i garantuar sepse jo të gjithë personat e shëruar nga Covid-19 kanë antitrupa. Në mes të prillit, zyrtarë të OBSH-së thanë se "jo të gjithë njerëzit që shërohen nga koronavirusi kanë antitrupa për të luftuar një infeksion të dytë”. Pra, pacientët mund të mos fitojnë imunitet pasi janë shëruar nga Covid-19.

Kur përdorimi i plazmës u njoftua për herë të parë, disa ekspertë u shprehën se trajtime të tilla duhet të kalojnë së pari procesin e provave të mirëfillta laboratorike, përpara se të aplikohen te njerëzit sepse nuk dihet shkalla e efekteve anësore.