Disa javë më parë, para se të jepej urdhëri i vetizolimit dhe i distancimit social, ne e konsideronim veten ekspertë të martesës. Kishim ndërtuar një sistem të ndërlikuar rregullash dhe përgjegjësish. Ndiheshim më mirë se kurrë. Madje po shkruanim një libër bashkë mbi martesën, sigurisht.
Pastaj erdhi Covid-19 dhe brenda natës, gjithë sistemet dhe zakonet tona u kthyen përmbys nga një virus që s’e kishte asnjëri prej nesh.
Si do të dilnim për shëtitje çdo të shtunë në mëngjes tani? Kush do të kujdeset për vajzën tonë 8-vjeçare tani që gjyshërit e saj janë izoluar në shtëpi?
Si do t’i ndajmë punët në shtëpi? Kush gatuan dhe kush i lexon vajzës çdo darkë?
Kujt i takon të kalojë kohë vetëm. Tani që punojmë të dy nga shtëpia, pak metra larg njëri-tjetrit, dhe tani që shkollojmë një fëmijë, si të mos ia sjellim në hundë njëri-tjetrit?
Në fjalë të tjera, kemi vuajtur të njëjtat pasoja si shumë prej jush – Covid-19 pati ndikim edhe në fusha përtej mjekësisë dhe ekonomisë. Për shumicën e profesionistëve, pandemia ka zhbërë zakone dhe rituale që i zbatonim prej vitesh dhe që i jepnin formë martesave tona.
Si mund të sigurojmë mirëqenien e martesës gjatë kësaj periudhe. Këto janë tre strategji praktike:
Ndërtoni një sistem të ri rolesh dhe përgjegjësish
Çdo martesë ka strukturën e saj dhe rolet ndahen sipas çiftit. Në karantinë, ato role nuk kanë më vlerë. Bisedoni dhe përcaktoni çfarë do të bëjë secili prej jush në shtëpi që barra e punëve të ndahet në mënyrë të barabartë. Kjo metodë e kthen kaosin në rregull.
Kaloni kohë cilësore me njëri-tjetrin
Ngjan e pamundur, por s’është. Lini bosh thjesht 30 minuta në ditë për të qëndruar me njëri-tjetrin. Bisedoni për një ide që keni, hani drekë bashkë, ushtrohuni, bëni çmos që të investoheni në marrëdhënien tuaj edhe pse jeni në rrethana të pazakonta.
Kaloni kohë vetëm
Para pandemisë, të gjithë kalonim kohë vetëm në mënyrë organike. Ishte pjesë e ditës. Tani është zhdukur si koncept, prandaj duhet të alokoni me vetëdije një moment të ditës ku merrni kohë për veten. Kjo lloj vetmie bën që të ktheheni te partneri me më shumë entuziazëm dhe interes.
Nga Nate dhe Kaley Klemp, bashkëshortë dhe autorë të disa librave mbi marrëdhëniet, mirëqenien dhe lidershipin